Gjithsej 180 raste të reja me KOVID – 19, dy të vdekur, më së shumti të prekur në Shkup

Gjithsej 180 raste të reja me KOVID – 19, dy të vdekur, më së shumti të prekur në Shkup

Gjithsej 180 raste të reja pozitive me KOVID-19 janë evidentuar në 24 orët e kaluara, publikoi Ministria e Shëndetësisë. Kanë vdekur dy pacientë – njëri i moshës 52 vjeçare nga Kumanova dhe një paciente nga Shkupi e moshës 68-vjeçare.

Pacienti ka vdekur në Klinikën për sëmundje infektuese dhe gjendje febrile ku është mjekuar nga 30 maji, ndërsa pacientja në SPQ “8 Shtatori” e cila është hospitalizuar më 29 maj.

Sipas informacioneve të cilat i publikoi sot Ministria e Shëndetësisë, më së shumti raste të reja sërish janë regjistruar në Shkup – 109, më pas në Kumanovë – 26, Shtip – 15, Tetovë – 12, Gostivar – 8, Gjevgjeli – 2 dhe nga një rast në Dibër, Strugë, Veles, Manastir, Vallandovë, Shën Nikollë dhe Negotinë.

Gjatë 24 orëve të kaluara janë bërë 1.272 testime.

Sot Instituti i Shëndetit Publik i regjistroi 11 pacientë edhe atë gjashtë në Shkup, katër në Veles dhe një Prilep.

Nga fillimi i epidemisë numri i përgjithshëm i pacientëve të diagnostifikuar u ngjit në 2.790 ndërsa i pacientëve të shëruar 1.632. Kanë vdekur 149 të prekur ndërsa për momentin aktivë janë 1009 persona.

Në Klinikën Infektive në 24 orët e kaluara janë pranuar 10 pacientë të rinj, prej tyre 5 janë transferuar në SPQ “8 Shtatori”. Për momentin janë hospitalizuar gjithsej 53 pacientë dhe nuk ka pacientë në respiratorë.

Deri në mëngjes, në SPQ “8 Shtatori” janë pranuar 7 pacientë të rinj ndërsa gjithsej 27 janë të hospitalizuar. Në respirator janë 7 ndërsa me pasqyrë klinike më të rëndë janë edhe 6 pacientë.