KSHZ u bën thirrje pjesëmarrësve në zgjedhje që t’i respektojnë masat për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) sot u bëri thirrje të gjithë të përfshirëve në procesin zgjedhor që t’i respektojnë masat shëndetësore, udhëzimet dhe protokollet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 15 korrik.

“Vetëm ashtu do ta mbrojmë shëndetin e qytetarëve”, theksoi sot nënkryetarja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ditmire Shehu gjatë simulimit për votim të sigurt me zbatimin e të gjitha masave dhe rekomandimeve shëndetësore, që ishte organizuar nga ana e KSHZ-së në vendvotim në shkollën e mesme “Josip Broz Tito”.

Simulimin u ftuan ta ndjekin vëzhguesit e zgjedhjeve, mes të cilëve edhe OSBE/ODIHR, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, të ambasadave, si dhe përfaqësues të partive politike. Mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

Shehu deklaroi se KSHZ-ja me këtë ngjarje dëshiron të tregojë se gjatë votimit do të respektohen të gjitha aktet nënligjore, udhëzime dhe masa për mbrojtje të qytetarëve.

Ministri i Shëndetësisë, Filipçe konsideron se përafërsisht mirë është organizuar puna dhe se ky është një proces i sigurt për absolutisht të gjithë votuesit për shkak të asaj që gjithçka zbatohet ashtu siç është përshkruar nga Komisioni për sëmundje infektive.

“Nuk ka absolutisht asnjë rrezik. ka kushte tërësisht të respektohen parimet për masa parandaluese dhe protokolli nga Komisioni për sëmundje infektive në tërësi të implementohet. Besoj se në ditën e votimit, votuesit do të dalin në votim duke mos pasur frikë se shëndeti i tyre mund të rrezikohet”, ka thënë Filipçe. Paralajmëroi se duhet të respektohen masat dhe se tani mbetet në vetëdijen dhe ndërgjegjen e popullit.

“Çfarë do forme qoftë e tubimit në të cilin nuk do të mbahet distanca dhe nuk do të mbahen maskat është rrezik absolut si për shëndetin e të pranishmëve atje, ashtu edhe për shëndetin e të gjithë të afërmve të tyre. Besoj se edhe në periudhën që vijon do të respektohen të gjitha protokollet”, tha mes tjerash Filipçe.

Në simulim u përfshi tërë procesi zgjedhor në kushte reale, duke filluar nga ardhja e qytetarëve në vendvotim, pritja, hyrja, dezinfektimi, identifikimi dhe votimi. Janë treguar të gjitha masat shëndetësore të cilat duhet t’i respektojnë qytetarët, por edhe vetë organet zgjedhore dhe vëzhguesit vendorë dhe të huaj.