Liverpuli më i dobët në 100 vite/ Disfata ndaj Evertonit, Klop bën sherr me ndihmësin e Ançeloti

Pavarësisht përpjekjeve të “Reds”-ave në pjesën e dytë, rastet e munguara dhe pritjet e Pikfordit treguan se vendësit mund të kishin merituar një barazim, por Evertoni ka meritën që u mbrojt shumë mirë dhe rivalët e tyre pësojnë humbjen e katërt radhazi të kampionatit në shtëpi, për herë të parë prej vitit 1923. Tifozët e parë të pakënaqur kërkojnë kokën e trajnerit Klop në rrjetet sociale nën fushatën “Klopp Out”.

Gjermani kaloi një tjetër pasdite të vështirë në stolin e Liverpulit dhe tani Siti është +19 dhe praktikisht mbrojtja e titullit mund të quhet një diskutim i mbyllur. Klopin e tradhtuan edhe nervat në stol gjatë pjesës së dytë, ku ai u përplas me asistentin e Ançelotit, Dankan Ferguson. Ndërsa Liverpuli protestonte për një penallti për një prekje të topit me dorë në zonë, Ferguson shikonte Klopin duke buzëqeshur dhe gjermani iu kthye dhe e pyeti:

“Pse po qesh?” Përgjigja e 49- vjeçarit ishte: “Mund të flasim edhe ne apo vetëm ti, Jyrgen?” Por ajo që shqetëson më shumë trajnerin është dëmtimi i Hendersonit, i cili duket serioz sipas tij. Ajo penallti kontraverse në fund mund të ishte shmangur, por ai nuk e bën dramë: “Penalltia erdhi vonë dhe nuk ishte më vendimtare. Është e padrejtë që të më pyesni për të sepse të gjithë mendojnë se nuk ishte e tillë. Unë e pyeta arbitrin se çfarë pa kur e thërriti VAR. Atij iu desh vetëm një sekondë për të parë diçka që ne të tjerët nuk e pamë”.