Universiteti i Tetovës: Fatmir Sulejmani mori pjesë në Konferencën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kushtuar 80-vjetorit te shkrimtarit Luan Starova

Prof. Dr. Fatmir Sulejmani mori pjesë në Konferencën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kushtuar 80-vjetorit të krijimtarisë letrare të shkrimtarit Luan Starova

Profesori i Fakultetit Filologjik i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani, mori pjesë në Konferencën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kushtuar 80-vjetorit të krijimtarisë letrare të shkrimtarit të mirënjohur ndërkombëtarisht, Luan Starovës, e cila u mbajt më 17.9.2021, në Tiranë. Tema qendrore e kësaj veprimtarie shkencore, në të cilën morën pjesë nëntë studiues ishte: “Luan Starova - akademiku, shkrimtari i shumëgjuhësisë”.

Në këtë veprimtari, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani e prezantoi studimin: “Letërsia trigjuhësore e Luan Starovës dhe dukuria e autopërkthimit”, që u prit mirë nga të pranishmit.

Në këtë studim, autori shtjellon në detaje veprat e shkrimtarit Luan Starova, stilin e të cilit e cilëson si tejet të veçantë: “ Proza narrative që shkruan Luan Starova është roman serik/ me vazhdime, me statusin e dyfishtë, që i bën veprat njëkohësisht edhe autonome edhe pjesë të tërësisë romanore me titullin e përbashkët: Saga ballkanike. Si projekt është i afërt me korpusin e romaneve të Balzakut – një dramë e vërtetë ballkanike me fatin e babait kryeprotagonist dhe të familjes azilante në qendër, një fat shumë sugjestiv brenda të cilit përfshihet ekzistenca e njerëzimit të gjendur shpesh në vorbullat dhe shtjellat historike.

Veprën në fjalë kritika e ka quajtur të veçantë, atipike dhe të pakategorizueshme, ndaj si e tillë është vështirë të inkuadrohet e t’i gjendet vendi në një lloj të vetëm romani. Por, edhe përkundër të dhënës se mund të qëndrojnë në mënyrë komode brenda romanit historik, politik, eseistik, filozofik, pikaresk, familjar, romanit të personazhit…, më së miri ndjehet në zhanrin e romanit të tipit autobiografik/ autofiksional, të njohur për mungesë imuniteti ndaj hibridizimit dhe migrimeve të diskurseve e ndjesive të ndryshme, që shkrihen e njësohen, fiksionalizohen e letrarizohen, gjer në shndërrimin e plotë në realitet letrar.

Nëpërmjet bashkëjetesës së reales me fantastiken, dokumentares me imagjinaren, njerëzores me mitiken, miteve tradicionale me mitet letrare, gjuhës metaforike e sugjestive me gjuhën e thjeshtë e pa stoli të tepërta, të kapshme e të përshtatshme për gjithë shtresat e lexuesve të mundshëm, Luan Starova ia del me sukses të sjellë në botën letrare veprën, që, sipas shumë studiuesve të njohur, përfaqëson më mirë se cilido tekst tjetër shpirtin ballkanik, ndjesitë e dyzuara të siujdhesës në të cilën kryqëzohen udhët e dy botëve të ndryshme, më së shpeshti të papajtueshme: lindjes e perëndimit, orientit e oksidentit, islamit e krishterimit… Këtë e bën me gjuhën e mirëkuptimit, tolerancës e humanizmit, me konceptin më dashamirës të mundshëm për tjetrin dhe vlerat e tij, duke i ofruar kësisoj publikut dyshimtarë të Evropës, jo Ballkanin e urrejtjeve dhe luftërave të përgjakshme, po Ballkanin e mirëkuptimit e tolerancës, nga i cili ka çka të mësojë.”

Starova është cilësuar si mjeshtër i rrëfimit modern, përkatësisht i kombinimeve të modeleve paraprake dhe atyre bashkëkohore. Romanet e tij janë të veçantë për nga mënyra e strukturimit, me sipërfaqe narrative të dallgëzuar, me copëza digresionesh me pamje arnash e stofërash të shumëllojshëm, që ta kujtojnë sinkretizmin/ bashkëjetesën e dikurshme të më shumë arteve në një art të vetëm.

“Autori sjell si model shkrimi letrar strukturën shumëformëshe të rrëfimit, të pasur me nëntekst, që më shumë sugjeron se sa shpjegon. Stili i thjeshtë i bën për vete lexuesit e të gjitha kategorive, që natyrisht, jo njësoj arrijnë të depërtojnë në shtresat e padukshme të tekstit, në anën e nëndheshme të letërsisë.

Diskurset dhe sistemet e ndryshme të të menduarit (eseistik, filozofik, simbolik…), të integruara harmonishëm në qenësinë e romaneve, rrëfimi i tipit diskontinuel, shmangia nga linja fabulore lineare, shtresat ndërtekstore të rrëfimit asociativ, ritmi/ tempi dinamik i rrëfimit, dyzimi i heronjve, shumësia e zërave të pavarur e të mëvetësishëm, përfaqësimi i filozofive të veçanta të personazhëve prometenj dhe aspirantë të mendimit të lirë, mendimi estetik i autorit, i papajtueshëm me tipin e romanit tradicional me personazhe objekte…, janë elemente të cilat Sagën shqiptare e ballkanike e bëjnë vepër të veçantë polifonike në mbarë letërsinë evropiane” prezantoi mes tjerash në studimin e tij, Prof. Dr. Fatmir Sulejmani.

Luan Starova erdhi në letërsi në vitet e ’60-ta dhe gjatë tri dekadave në vazhdim bëri emër të shquar, fillimisht si autor reportazhesh, udhëpërshkrimesh, esesh, kritikash e studimesh të pritura e të vlerësuara jashtëzakonisht mirë nga lexuesit. Megjithatë, majën e suksesit e preku në vitin 1992, kur botoi romanin”Librat e babait”, të cilësuar si vepër matricë, brenda së cilës gjejmë farën e mugulluar të 20 romaneve të ardhshëm të Sagës ballkanike, me të cilët më furishëm se cilido shkrimtar tjetër pushtoi vëmendjen e auditorit lexues të botës. Suksesi ishte i menjëhershëm, veçmas në mjediset letrare frankofone, ndaj nuk munguan vlerësimet e një numri të konsiderueshëm njohësish kompetentë të artit letrar që emrin e tij e vendosën në panteonin e të zgjedhurve.