Kodra e Diellit e gatshme për sezonin turistik

Reshjet e para të bores në viset malore sidomos në Kodrën e Diellit, janë një ogur i mire se mund të kemi një sezon të suksesshëm në këtë pikë turistike. Këtë e thotë drejtori i Elem Tursit Adem Avziu. Në një prononcim për gazetën KOHA, Avziu thekson se gjatë periudhës së kaluar, sidomos gjatë këtij viti, janë kryer shumë punë të cilët do të mundësojnë një sezon të mire turistik në Kodrën e Diellit. “Këtë sezon do të funksionojmë me kapacitet të plotë, të gjithë shtatë ski-ashensorët, përfshi këtu edhe gjashtëulësen, Cilipashinën, dyulësen për fëmijë, aerodromin, GE-në dhe kështu me radhë. Për herë të parë, në këtë qendër skijimi do të kemi edhe tualete publike, të cilët i kemi rregulluar për këtë sezon. Kemi dy minibare dhe restorante që do të funksionojnë për herë të parë. Po ashtu një informacion shtesë se këtë sezon kemi një shteg të ri të skijimit për skijim nate, është komplet shtegu i Aerodromit që do të bashkohet me dy shtigjet e Teteksit dhe do të shkojë përreth kishës afërsisht dy kilometra kemi për skijim nate. Presim borë të mjaftueshme dhe mund të bëjmë hapjen e sezonit të ri të skijimit”, tregon Avziu.