Nesër hyn në fuqi ndalesa për shitjen e qeseve të plastikës

Qeset e mbeturinave dhe qeset e vogla për ngrirje që shiten në tregje dhe dyqane janë të përjashtuara nga Ligji i ri për Menaxhimin e Mbetjeve. Çmimi i këtyre produkteve do të mbetet i njëjtë dhe nuk do të hiqen nga përdorimi. Siç sqarojnë për Alsat nga Ministria e Mjedisit, nga 1 dhjetori qeset me të cilat blejnë qytetarët do të kushtojnë 15 denarë, pavarësisht nëse janë në treg, dyqan apo market. Të gjitha do të duhet të jenë të biodegradueshme.

“Ndalohet lëshimi i qeseve plastike për mbajtjen e produkteve në treg. Lejohet lëshimi i qeseve të biodegradueshme që prodhohen në pajtim me standardet e përcaktuara për biodegradueshmëri”, thonë nga Ministria e Mjedisit Jetësor.

Se a respektohen dispozitat ligjore, kontrolle në terren do të bëj Inspektorati Shtetëror i Tregut.

“Në periudhën e ardhshme do të bëhet përshtatja dhe edukimi për rregullat e reja sipas Ligjit. Në fillim nuk do të shqiptohen gjoba për mosrespektimin e ligjit”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.

Inspektorët e tregut do të kontrollojnë nëse shiten qeset e biodegradueshme, nëse tregtarët mbajnë evidencë për numrin e qeseve të shitura sipas çmimit të përcaktuar prej 15 denarë. Gjobat për mosrespektim të ligjit sillen nga 1000 deri në 20000 euro, në varësi të madhësisë së kompanisë dhe llojit të shkeljes