Arrihet marrëveshja për pastrimin e listës zgjedhore

Arrihet marrëveshja për pastrimin e listës zgjedhore

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në seancë miratoi rregulloren e metodologjisë për qasje të plotë, fshirje apo ndryshim të të dhënave në Listën Zgjedhore dhe procedurën për zbatimin e vërtetimit në terren për shkak të përditësimit të njëjtit në pajtueshmëri të katër partive më të mëdha të Kuvendit të R. së Maqedonisë.

Gjithashtu KSHZ miratoi edhe rregulloren për mirëmbajtje dhe përditësim e Listës Zgjedhore bazuar në analizat statistikore, vërtetimin e kryqëzuar në baza të ndryshme dhe evidentimin, vërtetimit e pakufizuar në terren dhe tjera metoda të njohura për vërtetim.

LSDM dhe PDSH firmosën zyrtarisht metodologjinë e Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Në këtë mënyrë KSHZ-ja mori dritën jeshile të katër partive politike për të filluar me pastrimin e listës zgjedhore. Kreu i LSDM-së Zoran Zaev tha se nuk ka hequr dorë nga kërkesa për kontrollin e listës zgjedhore, për të siguruar zgjedhje të drejta dhe demokratike.

Sipas metodologjisë së propozuar nga KSHZ e që mori tani dritë jeshile edhe nga të gjitha partitë, lista zgjedhore do të shqyrtohet në disa faza.

Procedura do të fillojë me krahasimin e listës zgjedhore të cilën aktualisht e kemi me listën e zgjedhjeve të fundit të mbajtura në vend.

Në fazën tjetër, do të bëhet kryqëzimi i informatave nga 13 institucione relevante, për të marr numrin e saktë për personat për të cilët nevojitet kontrollimi në terren – që i takon fazës së tretë.

Sipas analizave të KSHZ, numri i kontrolleve në terren mund të jetë i madh dhe të arrijë deri më 100 mijë (për amvisëri).