Ish-ambasadori Çejku: Duhet unifikim i votës politike shqiptare

Ish-ambasadori Çejku: Duhet unifikim i votës politike shqiptare

Në një intervistë për portalin Zhurnal, ish-ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, i cili është drejtues i Qendrës për Qeverisje të Mirë në Tiranë, flet për aktualitetin politik në Maqedoni.

I pyetur në lidhje me krijimin e disa partive të reja politike shqiptare, ish ambasadori eshte shprehur se duhet unifikim i votes shqiptare.

"Dua të jem i sinqertë; parimisht jam kundër shtimit të numrit të partive politike shqiptare në Maqedoni, ashtu siç jam edhe kundër një fenomeni të tillë që ka ndodhur në Malin e Zi dhe në Luginën e Preshevës. Natyrisht, sot është demokraci dhe gjithkush ka të drejtë të krijojë parti dhe të paraqesë alternativa ndryshe.

Por unë përkrah unifikimin e votës politike shqiptare dhe, pavarësisht se është e vështirë, grupimet e pakënaqura do ishte mirë të ndikonin më shumë brenda partive ekzistuese, duke luftuar për t’i bërë ata më demokratike dhe për ta bërë riciklimin e liderëve nëpërmjet votimeve brenda partive.

Jo çdo grupim apo rrymë mendimi ndryshe duhet të dalë si parti më vete, sepse edhe kjo rrymë apo grupim që del sot më vete, nesër përsëri do ballafaqohet me të njëjtin fenomen dhe do ketë përsëri një parti më vete e kështu me radhë. Krijimi i një alternative përfaqësuese është shumë më e vështirë sesa krijimi formal i një partie të re.

Deri në zgjedhje ka ende kohë, që liderët shqiptarë të gjejnë rrugë për unifikim dhe koalicione, sepse shpërndarja e votave do të dobësojë përfaqësimin e shqiptarëve në parlament dhe qeverisje.

Këto zgjedhje sjellin edhe një rast të mirë, që drejtimin e Parlamentit ta marrë një deputet shqiptar. Dy partitë më të mëdha duhet të ftojnë partitë dhe grupimet e reja për të krijuar së bashku dy blloqe tek shqiptarët, por jo disa grupime, të cilat do ta devalvonin votën shqiptare", ka thene Çejku.

Gjatë kësaj interviste, ai ka folur edhe se si Mali i Zi mori së fundmi ftesën për në NATO, ndërsa Maqedonia për shkak të çështjes së emrit me Greqinë dhe flirtimit me krizën politike të brendshme ka mbetur vendnumëro.