"Grupi i Kumanovës", ja si rrodhi seanca e sotme gjyqësore

"Grupi i Kumanovës", ja si rrodhi seanca e sotme gjyqësore

Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët, sot eshte zhvilluar procesi gjyqësor ndaj "Grupit të Kumanovës".

Prokurori Naum Panovski ka deklaraur se shteti ka materiale dhe dëshmi të mjaftueshme për të treguar se ky grup i përfshirë në luftimet në "Lagjen e Trimave" në Kumanovë, ka vepruar si organizatë terroriste, e cila ka qenë e ndarë në tre grupe, organizatorët, logjistika dhe zbatuesit.

Sipas padise, "Grupi i Kumanovës" do të gjykohet për bashkim në organizatë terroriste dhe për terrorizëm, ndërkaq në vazhdim procesit gjyqësor do të jetë i mbyllur për publikun për shkak se do të shfaqen dëshmi sekrete të cilat i ka shteti, si edhe inçizime të bisedave të të akuzuarve.

Avokati Naim Shasivari deklaroi se, të akuzuarit nuk kanë qenë në gjendje shëndetësore dhe mentale të shëndoshë për ta përcjellur procesin gjyqësorë dhe ka kërkuar që të njejtit të kenë trajtim shtesë shëndetësor dhe kontrollim psiqik, kërkesë kjo e cila u hodh posht nga këshilli gjyqësor, me arsyetim se nuk ka patur asnjë njoftim për përkeqësim eventual të shëndetit të të akuzuarve, shkruan Telegrafi.

Gjithashtu, mbrojtja kërkoi që lënda të transferohet në Prokurorinë Speciale Publike.

Në lidhje me këtë kërkesë, këshilli gjyqësor vendosi që lënda të mbetet aty ku është dhe nëse do të ketë kërkesë nga PSP, atëherë të shqyrtohet kërkesa.

Më tej, mbrojtja ka reaguar edhe për faktin se këshilli gjyqësor nuk ka asnjë shqiptar në përbërje. Procesi gjyqësor vazhdon ende.