Sot BE-ja dhe SHBA-ja do ta publikojnë vlerësimin për zgjedhjet

Sot vuloset data e zgjedhjeve

Ambasadorët e Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve në Maqedoni do të vendosin sot vendimin rreth datës së zgjedhjeve.Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, tha se, partitë politike do të vendosin nëse do ti ndjekin apo jo rekomandimet e faktorit ndërkombëtar. Orav nuk zbardhi nëse komisioneri Han të premten do të zbresë në Shkup për të prezantuar raportin apo këtë do ta bëjnë ambasadorët Orav dh Jess Baily.

"Do ta prezantojmë vlerësimin tonë. Nuk e dimë nëse vlerësimi ynë do të jetë pozitiv apo negativ, prandaj nuk mund të komentoj çfarë do të ndodh më vonë, gjithçka do të varet nga partitë politike si do të veprojnë nëse do të jetë pozitiv apo nëse do të jetë negativ. Situatën do ta vlerësojnë në 3 fusha sa iu përket përgatitjes së zgjedhjeve. Fillimisht, Komisioni Shtetëror Zgjedhor dhe listat zgjedhore, ekipimi i KSHZ-së, pastrimi i listës zgjedhore. Çështja e dytë janë mediat, raportimi i balancuar i mediave dhe marrëveshja e 4 partive rreth mediave; ndërsa çështja e tretë është ndarja e shtetit nga partia, presioni dhe ndërhyrja", deklaroi Orav. Dy ditë përpara finalizimit të raportit, ambasadorët Orav dhe Baily në takime intensive me Komisionin Shtetëror Zgjedhor dhe grupet e punës për reformat në media. Ambasadori amerikan gjithashtu nuk deshi të komentojë përmbajtjen e raportit pasi siç tha është në fazë hartimi. "Ne patëm një takim të mirë informative në Komisionin Shtetëror Zgjedhor së bashku me të gjithë anëtarët, kryetarin dhe sekretarin e përgjithshëm. Morëm informata të mira sot për vlerësimin tonë të cilin jemi duke e hartuar, tha ambasadori Xhes Bejli. Nga ana tjetër zv/kryeministri Fatmir Besimi, shmangu përgjigjen nëse BDI do të heqë dorë nga zgjedhjet nëse vlerësimi i faktorit ndërkombëtar do të jetë negativ. Besimi tha se interesi i vendit është që sa më shpejtë të shkojë në zgjedhje. "Gjithsesi presim që të shohim vlerësimin që do të vijë nga BE-j dhe SHBA-ja në bazë të analizave që bën OSBE/ODIHR, IFES dhe KSHZ, por interesi i vendit është që sa më shpejtë Maqedonia ti bëjë të gjitha reformat e duhura që të shkojë në zgjedhje të lira dhe demokratike", tha Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.