Partitë të dakorduara për zgjedhje lokale në muajin tetor

Partitë të dakorduara për zgjedhje lokale në muajin tetor

Partitë parlamentare të cilat dje ishin në koordinim te kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi janë pajtuar se prioriteti i jashtëzakonshëm për Republikën e Maqedonisë është arritja e marrëveshjes për sjelljen e Propozim-ligjit për ndryshim dhe plotësim të Kodit zgjedhor, me të cilin mbajtja e zgjedhjeve lokale do të parashikohet për gjysmën e parë të muajit tetor, ndërsa mandati i kryetarëve dhe këshilltarëve të tanishëm të komunave do të vazhdohet deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillave dhe kryetarëve të komunave, kumtoi kabineti i Xhaferit.

 

Në koordinim morën pjesë përfaqësues të LSDM-së dhe koalicionit BDI, BESA, Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH, ndërsa VMRO-DPMNE-ja siç u paralajmërua paraprakisht nuk kishte përfaqësues në këtë takim.

Kabineti informon se Xhaferi ishte i njoftuar me konkludimet nga takimi joformal i përfaqësuesve të partive politike i cili u mbajt të shtunën, 13 maj, dhe ishte i njoftuar se partitë po harmonizohen që debati për propozim-ligjin të jetë efikas dhe të përjashtohet çdo mundësi për shtyrjen e tij të panevojshëm.

"Kryetari Talat Xhaferi theksoi se me qëllim që të mundësohet kushte për punë të rregullt në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, është e nevojshme të respektohet Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe iu bëri thirrje partive politike të cilët janë të përfaqësuar në Kuvend, në pajtim me nenin 33 nga rregullorja e Kuvendit të RM-së ta njoftojnë për formimin e grupeve të deputetëve. Xhaferi potencoi se pret që në afat sa më të shkurtër partitë të arrijnë marrëveshje për formimin e trupave të punës, me qëllim që ndryshimet e Kodit zgjedhor të sillen në pajtim me procedurat e rregullores", informon Kabineti.

Në kumtesë shtohet se Xhaferi dhe përfaqësuesit e partive politike janë pajtuar se dialogu politik duhet të vazhdojë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe se të gjitha subjektet politike duhet të jenë përgjegjës para qytetarëve dhe të kontribuojnë për vazhdimin e proceseve demokratike në Republikën e Maqedonisë.