Mjekët E Rinj Ardhmërinë E Shohin Në Klinikat Gjermane

Mjekët E Rinj Ardhmërinë E Shohin Në Klinikat Gjermane

Në Gjermani çdo mjeku të ri që fillon me punë specializimin ia siguron klinika.

Këtu mjeku aftësohet për punë dhe për detyrat që duhet t'i kryej. Gjë që vështirë mund ta gjesh tek ne.

Ne si redaksi shprehëm dëshirë që të intervistojmë të rinjtë të cilët janë larguar nga shteti në kërkim të një pune më të mirë apo të ndonjë perspektive më të ndritshme të cilën fatkeqësisht nuk kanë mundur ta gjejnë në vendlindje. Ky fenomen gjithashtu njihet edhe si “brain drain” apo “largim i trurit”, numri i të cilëve sipas informatave që i posedojmë nuk është për tu nënçmuar. Është për të ardhur keq se si të rinjtë tanë nuk e gjejnë dot perspektivën në vendlindje, dhe me një dëshpërim të madh largohen nga vendlindja dhe nga të afërmit e tyre për t'i realizuar ëndrrat e tyre. Një ndër këto është edhe Arjeta Selimi, mjeke shqiptare e punësuar në Gütersloh të Gjermanisë.

Pse vendosët të shkoni në Gjermani, kur dihet se profesioni mjek është një profesion shumë i kërkuar edhe në Maqedoni dhe në Ballkan?

Dr. Arjeta Selimi Zenuni me bashkeshortin Dr. Berat Zenuni 12c8cGjatë ushtrimit të detyrës si mjekë, filluan edhe pakënaqësitë sa i përket zhvillimit në anën profesionale. Ndjehesha jo plotësisht e realizuar si pasojë e një organizimi të mbrapshtë në vend dhe të një politike të gabuar shëndetësore. Specializimet jepeshin shumë rëndë dhe nuk kishim asnjë mundësi për zgjedhje të drejtimit që dëshiron ta punosh në të ardhmen. E gjithë kjo si rezultat i një udhëheqësi joadekuate dhe jo profesionale.

Rezultati i kësaj politike të gabuar u reflektua në të gjitha sferat e shoqërisë, ashtu si edhe në mjekësi. Duke u ballafaquar me këtë realitet të hidhur dhe mungesës së një vizioni për të ndryshuar diçka, lindi edhe vendimi për të vazhduar punën si mjeke në një shtet më të përparuar të Evropës, siç është Gjermania, duke e marrë parasysh faktin që ajo kërkonte kuadro profesionale për punë nëpër klinika.

Për të marrë një vendim të tillë duhet vendosmëri dhe guxim. Sigurisht dilema çdo herë është e ndërlidhur me frikën e mos suksesit. Fillimisht fillova me mësimin e gjuhës gjermane, pasi arrita nivelin e duhur të gjuhës, vendosëm ta bëjmë hapin e parë. Rruga për të ardhur këtu, ku dhe gjendemi në momentin nuk ishte aspak e lehtë, por e përmbushur me shumë peripeci pasi vijmë nga një shtet që nuk është anëtare e Bashkimin Evropian, dhe mundësitë për të depërtuar janë shumë më të vogla se sa për ato që kanë mbaruar fakultetin në një shtet të Bashkimit Evropian. Deshi Zoti, që pas shumë mundimeve të gjejmë një spital të mirë në Gütersloh te Gjermanisë, ku unë fillova me punë dhe njëkohësisht bëj edhe specializimin në degën e Gjinekologjisë.

Spitali ku unë punoj momentalisht është qendër akademike e Universitetit të Münsterit ,dhe është qendër e Certifikuar për kancerin e gjirit dhe Inkontinencës, tek gjinia femërore. Këtu ekziston një organizim, hierarki, logjistik dhe infrastrukturë që mundëson punë cilësore. Drejtori i klinikës si dhe mjekët udhëheqës (oberarzt) më kanë dhënë përkrahje maksimale në procesin e integrimit tim si mjeke e re në punë, por normalisht duke parë tek unë interesin e veçantë që shpreha dhe mundin që jepja. Ne, të gjithë e dimë se gjermanët janë të përpiktë në punë dhe për atë edhe nga ana jonë kërkonin më shumë përkushtim.

Tek ne flitet se Gjermania ka nevojë për kuadro profesionale edhe atë për disa profesione specifike, përfshirë këtu edhe mjekët. Çfarë disponimi kishte në këtë drejtim, flasim për Gjermaninë?

Është e vërtetë se tregu gjerman i punës është i interesuar për profesionin si ai i mjekut apo infermieres, por vetëm atëherë kur i përmbushin të gjitha kushtet paraprake, siç është zotërimi i mirë i gjuhës gjermane si dhe posedimi i licencës mjekësore gjermane. Përndryshe shanset janë shumë të vogla, posaçërisht tani në kohën e fundit kur kërkesat janë më të mëdha sesa që ishin më përpara. Mua përveç nivelit të gjuhës C-1 që mu desh ta japë në Gjermani, kusht tjetër ishte të merrja lejen e punës dhe për këtë iu nënshtrova një provimi tek dhoma e mjekëve në republikën përkatëse ku konkurroja. Pasi fillova me punë, e regjistrova edhe provimin për marrjen e licencës për punë të përhershme si mjekë në Gjermani (Approbation) dhe në janar të këtij viti arrita ta përfundojë me sukses. Këto ishin vetëm disa nga sfidat e para qe duhej kushtimisht të përmbushen për të mbetur në Gjermani. Jemi të vetëdijshëm se edhe më tej na presin edhe sfida të tjera sa i përket aspektit profesional dhe se kjo është vetëm fillimi i rrugëtimit tonë.

Në Gjermani, pothuajse ka mjek nga gjithë shtetet, përfshi edhe vendet e Ballkanit. Sa është numri i të ardhurve nga vendet e Ballkanit?

Të ardhur ka plotë edhe nga vende të ndryshme, por nga Ballkani ka shumë pak, ose së paku në spitalin ku unë punoj momentalisht nuk ka asnjë shqiptar apo ndonjë tjetër nga vendet e rajonit. Nuk mund të them saktësisht për spitalet e tjera për shkak se nuk jemi të informuar.

A do të ishit larguar nga vendlindja nëse do të kishte kushte më të mira dhe të barabarta për të gjithë?

Jam fëmijë i prindërve që të dy të angazhuar në arsim dhe që çdoherë na kanë mbjell atdhetarizmin dhe dashurinë për vendlindjen. Në asnjë periudhë të jetës time nuk e kam menduar se mund të vijë një kohë kur do të duhej të largohem nga vendlindja. Por, disa gjëra në jetë vijnë pa i planifikuar.

A mendoni se mjekët në vendin tonë janë të kufizuar për ta avancuar profesionin e tyre?

Në një vend ku ekziston korrupsioni dhe ku politika i ka lëshuar rrënjët e veta në të gjitha institucionet udhëheqëse, normalisht se nuk ka as avancim profesional. Këtë e them nga eksperienca ime që pata në vendlindje.

Nëse në një të ardhme të afërt do të përmirësoheshin kushtet për të jetuar në vendi tonë, a do të ktheheshit përsëri për të dhënë kontributin tuaj në vendlindje?

Atëherë kur ndërgjegjja shoqërore do të arrijë në atë nivel të pjekurisë që të fillojnë të emërohen në poste udhëheqëse persona që janë më të përgatitur profesionalisht dhe më me aftësi, atëherë kur personat në fjalë do japin kontribut për përmirësimin e gjendjes shoqërore, tek atëherë do të krijohej një bazament i shëndoshë për punë dhe veprim në vend. Shpresoj për atë të ardhme dhe normalisht se do e kishim dhënë kontributin tonë në vendlindje.

Çfarë mendoni se duhet të ndryshohet në Maqedoni, që të ketë një konkurrencë pozitive dhe reale?

Arsimimi i mirëfilltë dhe profesional është kusht thelbësor që të mos katandisemi në injorancë. Intelektualët e aftë dhe me dinjitet duhet haptas ta shprehin mendimin dhe të punojnë në drejtim të përmirësimit të gjendjes.

Çfarë u sugjeroni personave që synojnë të vazhdojnë jetën e tyre dhe të kërkojnë mundësi për të punuar jashtë shtetit?

Rruga drejt realizimit të qëllimeve nuk është asnjëherë e shtruar me lule. Por atje ku ka një qëllim, gjithnjë ka edhe një rrugë. Ashtu siç ndodhi me ne ku qëllimi ishte i qartë dhe na u desh ta gjejmë rrugën. Normalisht se duhet shumë durim dhe sakrificë. Gjërat e mirë në jetë vijnë ngadalë-ngadalë.

A shpresoni se një ditë do të ktheheni përsëri në vendlindje?

Ne së pari kemi synim që të mbarojmë specializimet këtu në Gjermani. Normal se gjithmonë ekziston mundësia për një kthim në vendlindje, por nuk i dihet asnjëherë se kur mund të ndodh.

Na shkruani pak për përshtypjet nga Gjermania dhe bëni një dallim të sistemit këtu dhe atje?

Gutersloh te GjermanisePasi kam punuar edhe në Maqedoni, prandaj mund ta bëjë lehtë krahasimin mes sistemit shëndetësor në Maqedoni dhe këtij në Gjermani. Dallimet janë të mëdha si mali me qiellin dhe të pakrahasueshme. P.sh. sa i përket specializimit, përderisa te ne duhet ta vrasësh kokën dhe të lusësh dikë, këtu në Gjermani specializimin ta siguron Klinika, edhe atë çdo mjeku të ri që fillon me punë. E mos flasim për mjetet dhe aparaturat me të cilat janë të furnizuara klinikat. Edhe sa i përket avancimit profesional ka dallim të madh. Këtu punohet me plane të posaçme për specializantët, por edhe nga specializantët kërkohet angazhim dhe përgjegjësi e madhe edhe atë për një kohe të shkurtër. Këtu mjeku aftësohet për punë dhe për detyrat që duhet t'i kryej. Gjë që vështirë mund ta gjesh tek ne.

 

Please publish modules in offcanvas position.