Previous Next

Nxënësit E Bllacës Para Dite Shtetas Të Kosovës, Pas Dite Shtetas Të Maqedonisë

Lagja E Bardhëve Të Fshatit Bllacë Apelojnë Për Ndihmë

Fshati Bllacë është një fshat që gjendet afër kufirit Maqedoni-Kosovë, fshat që ka afër 80-90 shtëpi me 450 deri 500 banorë.

E veçanta e këtij fshati ka të bëjë me lagjet ku secila lagje e merr emrin sipas fisit që i takon. Fshati ndahet në dy pjesë, në atë të poshtme dhe të epërme. Në Bllacën e poshtme është lagje që është shumë afër kufirit të Kosovës, e ajo është lagja e Bardhëve. Kjo lagje i ka diku 30-35 shtëpia me afër 150 banorë. Ajo që e dallon këtë lagje nga të tjerat në fshat është se banorët e lagjes, pothuajse të gjithë janë të pajisur me nga dy nënshtetësi, atë të Maqedonisë dhe të Kosovës. Mirëpo, të moshuarve të fshatit nuk u është dhënë ende nënshtetësia e Maqedonisë. Me këtë, këto banorë nuk mund të përfitojnë nga kontributet që i mundëson një shtet banorëve të atij vendi. Një nga arsyet se pse gati pothuajse të gjithë banorët e fshatit ishin me nga dy nënshtetësi, me aq sa mësuam nga reportazhi ynë që e realizuam në këtë fshat ishte fakti se banorët e fshatit edhe pse si territor i takojnë Maqedonisë, ato përsëri disa shërbime i marrin nga Kosova, sidomos në sferën e arsimit. Të gjitha gjeneratat e lagjes, që nga ish-Jugosllavia arsimimin e kanë kryer në Kosovë. Edhe gjeneratat e reja mësimin e ndjekin në Kosovë, respektivisht në komunën e Hanit të Elezit. Afër 50 nxënës nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, çdo ditë kalojnë kufirin Maqedoni-Kosovë përmes një rrjeti të shkëputur ku në mëngjes shkojnë për të ndjekur mësimet e tyre në Han të Elezit dhe pas mësimeve kthehen në shtëpitë e tyre. Kjo lëvizje e tyre vazhdon gjatë gjithë vitit, përfshirë edhe stinën e dimrit. Në pyetjen që ua parashtruam banorëve të fshatit se a nuk ka shkollë fillore në fshat, dhe se pse fëmijët detyrohen që t'i vijojnë mësimet në Han të Elezit, ata thanë kështu: “Në fakt në Bllacën e Epërme ekziston një shkollë fillore, por është shumë më larg se sa shkolla në Han të Elezit. Distanca për tek shkolla në Bllacë të Epërme është 5 km, kurse shkolla në Han të Elezit është vetëm 2 km. Është më lehtë për të shkuar dhe gjendet në qendër të qytetit. Shkolla në Han të Elezit dallon edhe për nga kualiteti. Është shumë më me kualitet se sa ajo në Bllacë të Epërme”.

Banorët e fshatit gjithashtu na thanë se diplomat që merren në Han të Elezit tani më edhe mund të nostrifikohen edhe pse e njëjta ka qenë e pamundur para disa viteve. Arsyeja që nxënësit ballafaqohen me këtë situatë të vështirë është mungesa e një paraleleje të shkollës fillore në këtë lagje e cila ka kapacitet të mjaftueshëm të nxënësve për të hapur një paralele të re në këtë lagje. Mirëpo nga ana tjetër banorët e fshatit janë të shqetësuar edhe nga cilësia e mësimit që do të jepet. Në fakt banorët e lagjes kanë dërguar një kërkesë për tek ministria e arsimit për hapjen e një paralele në këtë lagje, mirëpo në vend të saj është themeluar shkolla në Bllacën e Epërme. Lagjja posedon edhe një objekt të gatshëm i themeluar me të vetmin qëllim për të hapur një paralele në këtë lagje që do tu mundësonte nxënësve të vijojnë mësimet e tyre pa përjetuar vështirësi të mëtutjeshme dhe të mos e kalojnë atë rrugë të rrezikshme. Mirëpo, prindërit janë të vendosur që fëmijët e tyre të ndjekin mësim më cilësor dhe kërkojnë që nëse do të hapej një paralele e tillë në fshat, atëherë edhe mësimi që do të ndiqet të jetë me kualitet.

Banorët gjithashtu u ankuan edhe për neglizhencën që e tregon shteti ndaj tyre dhe se deri tani nuk është bërë asnjë investim nga ana e shtetit në këtë lagje.

Please publish modules in offcanvas position.