Previous Next

Shipkovica Një Vit Pas Përmbytjeve, Banorët Ende I Kanë Të Freskëta Kujtimet

Shtëpitë ndërtohen, të dashurit tanë që i humbën në këtë tragjedi nuk mund t’i kthejmë. Sa jam i gëzuar për shtëpinë e re, po aq dhimbje ndjej për mbesën time Erinën e cila ditën e kobshme ishte në shtëpinë tonë. Por,  Zoti e ka shkruar kështu dhe nuk kemi çfarë të bëjmë.

Këtë muaj bëhen një vit kur fshati Shipkovicë, i malësisë së Tetovës, përjetoi një nga katastrofat më të mëdha natyrore ku humbën jetën tre fëmijë dhe një i moshuar. Nga kjo katastrofë shumë shtëpi, lokale objekte tjera u dëmtuan, fusha e tëra pothuajse ishte mbuluar me baltë dhe gurë, ndërsa rrugët ishin bërë të pakalueshme. Edhe pse kaluar një vit nga kjo fatkeqësi akoma askush nuk po jep një përgjigje të saktë për shkaqet që çuan në këtë tragjedi.  Madje ishin angazhuar edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare të cilët kishin bërë të gjitha incizimet që madje të konstatojnë për shkaqet. Nisemi drejt fshatit për të parë se çfarë ishte bërë pas një viti, ku jetonin ata banor të cilët kishin mbetur pa shtëpi, kush i kishte ndihmuar ata që të rimëkëmben. Në anën tjetër sapo i afrohemi fshatit në anën e majtë shohim se pasojat e përmbytjeve të një vitit më parë janë ende të pranishme. Gropat e hapura dhe shkëmbinjtë  në pjesën e poshtme të fshatit sikur bënin me dije se e gjitha këtu  kishte nisur. Me të afruar fshatit shohim njerëz të ulur në kafene të cilët qajnë hallet e tyre, Aty këtu ata flasin për pasojat  kurse disa metra më lart dëgjojmë zhurmën e mjeshtërve të cilët kishin filluar ndërtimin e një shtëpie të re. Ndalojmë për pak çaste aty dhe ulemi  me disa banor në një lokal aty  afër, por menjëherë kuptojmë se ky lokal para një viti i gjithi kishte qenë i mbuluar me dhe dhe gurë, por falë Zotit njerëzit që kishin qenë në lokal kanë mundur të shpëtojnë.  Në tavolinën tonë ulet një plak i cili me vete mbante dy pako cigare dhe tableta që i pinte vazhdimisht. Çdo ditë kur ulem në këtë lokal më kujtohet ajo ditë e kobshme kur për një moment dëgjohet një ushtimë e madhe që vinte nga përroi i vogël dhe për një minutë gjithçka u shkatërruar.

Ne ishim në lokal duke biseduar kur me të kthyer kokën nga dritarja pamë se  balta, gurë, dhe sende tjera ishin shndërruar  në gërmadha dhe depërtonin jo vetëm në këtë lokal por në të gjitha objektet tjera. Nga të gjitha anët dëgjoheshin zëra që kërkonin ndihma, por askush nuk kishte mundësi që të ndihmonte. Nga ajo ditë ende i kam të freskëta kujtimet, por pasojat janë evidente. Gjithçka kthehet, por  njerëzit nuk kthehen më.

 

Liman Xhemaili d82ff

 

Liman Xhemaili, tha se “para një viti kur ndodhën përmbytjet ka qenë në lokalin e tij duke punuar. Kujtimet e asaj dite ende i kam të freskëta. Gjithçka që kisha u dëmtuar për pak minuta, shumë njerëz u lënduan, shtëpitë dhe lokalet në këtë pjesë të fshatit patën dëme të mëdha. Gjatë vërshimeve u lëndova dhe menjëherë më dërguan në Shkup, ku kam qëndruar disa ditë. Edhe sot e kësaj dite thotë Limani, kam probleme shëndetësore.  

Duke na rrëfyer për atë ditë, ndalet për një moment dhe thotë se  dëmet harrohen por viktimat nuk mundet të harrohen. Na shkuan tre fëmijë, tre shpirtra të njomë që nuk mund të kthehen më.  E pyesim se sa u kanë ndihmuar institucionet e shtetit të cilët premtuan se të gjitha shtëpitë do të ndërtohen dhe se banorët do të kthehen në vendet e tyre. Ai, na tha se nga institucionet e shtetit ka marrë ndihmë vetëm 500 euro, kurse nga komuna e Tetovës, ndihmat ende nuk kemi marrë për shkak të disa gabimeve teknike. Kështu na thonë. Të gjitha këto që i shihni i kemi bërë falë ndihmës që na kanë dërguar njerëzit vet dhe në veçanti kompania “Dauti Komerc” . E dini si është tek ne ato ditë të përmbytjeve dhe katastrofës të gjithë të premtojnë ndihmë, por çudia zgjat vetëm tre ditë dhe gjithçka mbete në duart tona. Paramendoni tha Liman Xhemaili, unë kam paguar edhe shpenzimet e spitalit në Shkup, edhe pse ne duhej të ishim të liruar nga pagesa sepse ishim lënduar nga fatkeqësitë natyrore.

Hazbi Shahini bëhet me shtëpi të re

Hazbi Shahini 11d38

 

Hazbi Shahini, pas një vitit bëhet me shtëpi të re, dhe kjo falë shqiptarëve të cilët jetojnë në Zvicër. Ai nuk mundej të fshinte lotët e gëzimit, por edhe të dhimbjes së para një viti. Shtëpia është duke u ndërtuar mbi themelet e shtëpisë e cila u rrafshua nga përmbytjet para një viti. Por sa jam i gëzuar më për shtëpinë e re, po aq dhimbje ndjej për mbesën time Erinën e cila ditën e kobshme ishte në shtëpinë tonë. Por Zoti e ka shkruar kështu dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Shtëpia është ndërtuar në vendin ku ka qenë shtëpia e vjetër, në vendin që ka qenë cak i ciklonit. Nuk kemi ku të shkojmë , një vit kemi qëndruar tek të afërmit tanë në pritje se institucionet e shtetit do na ndihmojnë që t’i ndërtojmë shtëpitë tona, por asgjë nuk u bë. Falë shqiptarëve të cilët jetojnë në Zvicër dhe falë solidaritetit të tyre unë sot po qëndroj në shtëpinë e re. Nuk kam fuqi të flas më shumë për atë sepse gjithçka ndodhi për vetëm disa minuta. Pak metra më poshtë një grup tjetër punonin në ndërtimin e një shtëpie tjetër edhe ajo në vendin ku para një viti kishin humbur jetën dy fëmijë Rina dhe Ritoni. Por vetëm mjeshtërit ishin ata të cilët bisedonin me neve sepse pjesëtarët tjerë të familjes ende qëndronin tek të afërmit e tyre. E gjitha kjo thanë ata është falë kontributit të njerëzve tanë që jetojnë ne vendet e Evropës Perëndimore, se sa për institucionet e shtetit kjo familje edhe shumë vite do të vazhdonte të jetonte tek të afërmit e vet. S’ka para nga institucionet e shtetit, por vetëm premtime boshe. Nga komuna e Tetovës, na thanë se së shpejti do t’i na kompensojnë dëmet, por sa do të jenë këta kompensime ende asgjë nuk dihet.

Faton Xhabiri, në vendin ku para një viti objekti i tij ishte i rrafshuar me tokën kishte hapur një market

Ai kishte humbur babin, kurse dhomat e fëmijë të tij ishin mbuluar me dhe. Për rreth shtëpisë së tij akoma kishte baltë, gurë dhe sende tjera, kurse në muret e shtëpisë shiheshin shenjat që kishin mbetur nga ajo ditë. Kjo është pasqyra e para një viti që vazhdon të ndriçojë edhe sot e kësaj dite. Nuk dëshiroj të flas për shkak se vetë fotografitë janë pasqyrë më e mirë për këtë. Sa i përket ndihmave gjithçka ka mbetur në letër dhe në fjalë. Një falënderim i takon Dauti Komerc i cili na ka ndihmuar shumë, kurse komuna dhe institucionet e shtetit vetëm se na premtojnë dhe asgjë konkrete. Në anën tjetër të fshatit ndodhet xhamia tashmë e riparuar me ndihmat e një organizate të huaj. Banorët e fshatit akuzojnë edhe institucionet fetare të vendit të cilët nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për të riparuar këtë xhami, por e lanë që të vijnë nga jashtë dhe të na riparojnë objektin fetar. Kjo është e papranueshme thanë ata.

Fusha vazhdon të mbetet e mbuluar me baltë, djerrina dhe gurë

Toka pjellore në fshatin Shipkovicë, vazhdon të jetë si para një viti. Në këtë pjesë të fshatit akoma asnjë institucion shtetëror nuk ka vënë dorë. Janë bërë vlerësimet e dëmeve të shkaktuara në muajin gusht të vitit të shkuar, por pastrimi i kësaj pjese të fshatit nuk është bërë. Por ndryshe nga të tjerët, kompensimi i dëmeve në bujqësi është bërë në mënyrë shumë më të mirë dhe të shpejtë na tha një bujk i cili ishte duke pastruar arën e tij. Falë Besir Jasharit, sekretar shtetëror në ministrinë e bujqësisë unë kam marrë kompensim një vlerë prej 3 mijë euro dhe jam i kënaqur me këtë sepse kompensimi i dëmit është bërë sipas dëmit që kemi pësuar. Jo vetëm unë, por edhe shumë bujk të tjerë kanë marrë kompensim. Në anën tjetër problem mbetet pastrimi i këtyre tokave sepse është një punë që kërkon mjete dhe mekanizëm të nevojshëm. Nuk mund të bëjmë pastrimin me lopata dhe vegla tjera.

Para 84 viteve kishte pasur përmbytje, por pa pasoja në njerëz

Thuhet se në vitin 1931 ka ndodhur përsëri edhe një vërshim tjetër i vogël në fshat, mirëpo jo me këto përmasa. Njëri nga banorët e fshatit Shipkovicë na tregoi arsyen se pse ndodh ky fenomen, që sipas tij ishte rrugica dhe gypat e ujësjellësit të ndërtuar më vonë, sidomos pas murit të ndërtuar për t'i penguar vërshimet që sipas tij ndërtimi i murit ishte bërë menjëherë pas vërshimeve të vitit 1931. Në këtë mënyrë muri i cili ka pasur si detyrë të kthej ujin në livadh i cili është në përmasa të një stadiumi, i mjaftueshëm për ta mbajtur ujin aty, dhe pastaj duke e thithur atë i ka penguar vërshimet, ka depërtuar në përruan e fshatit i cili më vonë ka shkaktuar vërshimet. Ky ndryshim në mal është bërë para 4-5 viteve. Atëherë asnjëri nuk e ka paramenduar se mund të vij deri te ndonjë fatkeqësi e madhe. Edhe pse të reshurat e shiut kanë zgjatur afër një ore, akumulimi i vërshimeve ka ndodhur për disa minuta. Gjeologët dhe sizmologët të cilët e kanë analizuar vendin kanë qenë të mendimit se kjo gjë është dashur të përsëritet një apo dy herë në vit, pas paraqitjes të shirave me përmasave më të mëdha, por për fat të mirë pengesë për ndodhjen e një fatkeqësie ka qenë muri, i cili tani më ka humbur efikasitetin e tij.

Profesori universitar Abdulla Mehmeti, shpjegon se si akumulohet uji i përroit të Hallës, prej ku u shkaktuan përmbytjet

Sipas tij PËRROI I HALLËS - nga banorët vendës quhet kështu vetëm në pjesën ku kalon nëpër katundin Shipkovicë, ndërsa në rrjedhën e epërme të tij quhet Përroi i Ballbajave, kurse në rrjedhën e poshtme të tij, Përroi i Kishës. Ky përrua nuk ka burim të tij dhe as ujë të përhershëm. Gjatë verës shtrati i tij është plotësisht i thatë. Në rrjedhën e sipërme derdhen vetëm disa burime të vogla anësore, një burim i vogël nga vendi i quajtur Ballbaja dhe një burim pak më i madh nga Kanalivadhet, të cilët gjatë verës nuk rrjedhin në shtratin e tij, por në drejtime të tjera që përdoren për ujitjen e livadheve dhe tokave bujqësore përreth. Ky përrua kryesisht kalon nëpër masivin malor me pyje ahu, nga Rrafshet e Dafkit deri mbi Shipkovicë, në një gjatësi prej afër 2 km. Gjatë reshjeve akumulon shumë ujëra nga sipërfaqe të mëdha të pllajave të bjeshkës. Kalon nëpër terren shumë të rrëpirë, është shumë i shpejtë dhe i rrëmbyeshëm dhe bart me vete gurë dhe drunj të shumtë. Shkëmbinjtë e ardhur nga vërshimet e këtij përroi kanë madhësi deri në disa tonelata, ndërsa drunjtë me gjatësi deri në 30 metra. Ky përrua sa mbanë mend banorët e vjetër të këtij katundi ka vërshuar disa herë dhe i ka përmbytur shtëpitë e lagjeve Voke dhe Mjake, ndërsa në kohën e fundit edhe një pjesë të lagjes Fande, objektet dhe tokat bujqësore në pjesën e poshtme të katundit deri në derdhjen e tij në lumin Shkumbin. Vërshimet më shkatërruese kanë ndodhur në vitin 1931-32, të cilat kanë dëmtuar disa shtëpi dhe kanë shkaktuar dy viktima.

Komuna e Tetovës

Kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi, ka kërkuar durim nga banorët duke premtuar sërish se së shpejti do fillojë kompensimi i dëmit.

“Përfundimisht edhe për atë pjesën e mbetur Qeveria ka dhënë pëlqimin e vet sepse ajo ishte e rëndësishme dhe ashtu siç është lista dhe besoj që do fillojë dëmshpërblimi shumë shpejtë”, deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Zvarritja e procedurave për kompensimin e dëmit është si pasojë e problemeve me listat e banorëve të dëmtuar.

Katastrofave natyrore u ndihmon edhe faktori njeri

Profesori i USHT-së pro.dr. Fauzi Skenderi, kohë më parë për revistën “Zaman”, tha se të reshurat para një viti kanë qenë intensive, të shoqëruara me erë të fuqishme të cilat në disa vende kanë shkaktuar ciklone. Me siguri se si pasojë e ciklonit ka ardhure dhe deri tek përmbytjet , por nuk duhet të harrojmë edhe faktorin njeri që në masë të madhe ka dëmtuar natyrën. Sipas tij ky fenomen ndodh edhe në vende tjera të botës me ngrohjen globale, sepse para 30 viteve të gjithë mund të kalonin natën në fushë , ndërsa tani nuk mund të qëndrosh sepse është dëmtuar mbrojtësi kryesor ozonosfera, ajri është i ndotur tej mase, hapësirat e gjelbra gjithnjë e më shumë po zvogëlohen, kurse ndërtimet pa plan akoma më tepër po e dëmtojnë natyrën. Në Shipkovicë ne pamë se faktori njeri ndoshta i kishte ndihmuar kësaj katastrofe natyrore, sepse shtrati i lumit ishte i ngushtuar. Të ishte shtrati i lumit më i gjerë respektivisht në ato korniza të veta, ndoshta pasojat do të ishin më të vogla. Ne mendojmë se aty kalon një sasi e vogël e ujit dhe nuk paraqet rrezik, por rreziku vjen një herë në 100 vjet dhe pasojat mund të jenë fatale.

Please publish modules in offcanvas position.