Previous Next

Mysheref Iseini; “Deri dje kisha një kulm mbi kokë, tani më edhe atë e humba dhe nuk kam asgjë..”

Na u deshën 43 vite që ta ndërtojmë shtëpinë, por uji na e morri për një minutë.

Në mesin e fatkeqësisë së madhe falë Zotit, ka edhe fatmirësi. Humbëm gjithçka, pasurinë, shtëpinë, por shpëtuam fëmijët.

Përmbytjet në Hasanbeg shumë familje lan mbi kokë, disa të tjerë humbën edhe më të afërmit e tyre, ndërsa mundi dhe djersa që kishin dhënë për 50 vite, u zhduk brenda pak minutave. Lufta me ujin dhe baltën që solli uji ishte e paskrupullt rrëfejnë nënat të cilët bënë të pamundurën për t’i shpëtuar fëmijët e tyre. Në atë moment nuk mendoja asgjë përpos t’i shpëtoja fëmijët të cilët ishin të mbuluar me ujë dhe baltë thanë nënat të cilët nuk mund ti fshinin lotët dhe dhimbjet. Tmerri që kishin përjetuar atë ditë nuk mund të përshkruhet, por i luten Zotit që kjo katastrofë të mos përsëritet më. Për këtë arsye shumica e familjeve u detyruan që të shpërngulen tek fqinjët farefisi, miqtë sepse shtëpitë e tyre u shkatërruan. Njëra ndër shtëpitë e dëmtuara ishte edhe shtëpia e zonjës Mysheref Iseni. Gjatë rrugëtimit për të vizituar shtëpinë e saj ne pamë një katastrofë të madhe, shumë shtëpi të rrënuara, gërmadha në çdo cep të rrugëve, makina të dëmtuara, kafshë të ngordhura, ndërsa njerëzit të gjithë ishin në gjendje shoku. Shtëpia e Mysheref Isenit, pas vërshimeve nuk i plotësonte kushtet për jetesë dhe të gjitha ato momente kritike që i kishte përjetuar atë natë i shpalosi gjatë bisedës me neve.

E tronditur nga ajo që kishte përjetuar atë ditë Mysheref Iseini na tha ,"Përjetuam një shok të pa parë. Shtëpia jonë më nuk i plotëson kushtet për jetesë. Pastrimi dhe punimet po rrjedhin shumë ngadalë. Nga temperaturat e larta ka filluar të vijë era e keqe. Me të vërtetë jemi në gjendje të vështirë."

Jetoj në Hasanbeg, tha ajo së bashku me 2 djemtë e mi dhe një nuse të djalit tim. Ne jemi shpërngulur nga Prizreni në Hasanbeg, plot 43 vite jetojmë këtu. Vitin e kaluar burri im ndërroi jetë. 11 vite ishte i sëmurë. Gjendjen financiare nuk e kishim shumë të mirë. Pas këtyre fatkeqësive natyrore nuk na ngeli edhe një kulm për tu strehuar. Kemi ngelur në gjendje të vështirë. Por, falë Zotit nuk kemi humbur ndonjë anëtarë të familjes dhe kjo është e vetmja gjë pozitive nga tërë kjo fatkeqësi.

Nëse mund të na tregoni se si ndodhi ngjarja?

Kishte shumë të reshura të shiut dhe vetëtimë. Në shtëpi isha me nusen, vajzën, dhëndrin dhe 5 nipat dhe mbesat e mija. Përnjëherë filloi që të hy uji në shtëpi. Kur e pamë se po mbushet shtëpia me ujë menjëherë u munduam që t’i shpëtojmë fëmijët. Edhe ne nuk e mbajmë mend se si arritëm të shpëtojmë së bashku me 5 fëmijët. Fillimisht fëmijët i hipëm mbi murrin e fqinjës në oborrin e tij dhe ne duke u ngjitur me vështirësi kaluam murrin dhe arritëm të hymë tek shtëpia e fqinjës. Uji arrinte lartësi deri 1.5 metra. Në momentin kur e kaluam murrin, dhëndri dhe vajza ime u lënduan. Edhe tek fqinjët kati i parë ishte i mbushur me ujë. Fëmijët në krah i hipëm në katin e dytë. Me të vërtetë ato momente rrëqethëse nuk i mbaj mend të gjitha. Me vështirësi të shumta arritëm ta shpëtojmë veten tonë. Lutem që askujt Zoti, mos e sprovoftë me vështirësi të tilla.

Sa është dëmi material që keni pësuar?

Shtëpia që u ndërtua para neve kohë më parë e parandaloi stuhinë që shtëpia jonë mos të rrënohet. Shtëpia u mbush përplot me lloç. Vitin e kaluar vendosëm të rinovojmë shtëpinë, riparuam kuzhinën. Më ishte lehtësuar puna për 41 vite, të gjitha enët i laja në borë, në shi në oborr. Por sapo thashë se tani u rehatuam na erdhi kjo sprovë nga Zoti.

A ka filluar që të normalizohet jeta pas fatkeqësisë?

Tani për tani nuk kemi vend ku të strehohemi, jemi të vendosur tek fqinjët. Nuk kemi energji elektrike dhe nuk mund të përgatisim gjellë. Do të duhet disa javë që të pastrohet tërësisht shtëpia dhe vendi për rreth. Disa ditë ishim tek vëllai në Prizren. Ne u kthyem, por fëmijët dhe nusen e lamë atje.

Fëmijët akoma janë të stresuar nga ngjarja. Dëshirojnë që të kthehen në shtëpi, çdo ditë janë duke qarë. Një kohë të gjatë nuk do të mund që ta tejkalojmë stresin dhe të kthehemi në normalitet. Kur vjen nata dhe biem të flemë na dalin përpara fotografitë e asaj nate. Të bërtiturat e fëmijë akoma nuk më janë larguar nga veshët. E kam vështirësi që të bëj gjumë.

A kanë filluar që të bëjnë pastrimin?

Djali është i sëmurë nga diabeti. Plot 10 ditë mundohet të bëj pastrimin. Me që nuk është bërë dezinfektimi vijnë erëra të rënda. Sot erdhën disa ekipe të bëjnë pastrimin. Edhe fqinjët përreth u goditën nga këto vërshime, por ato së paku e kanë edhe katin e dytë të shtëpisë. Shtëpia jonë ishte njëkatëshe dhe gjithçka që kishin në shtëpi u dëmtuan. Tani kemi ngelur pa strehë, por fqinjët na hapën dyert dhe për momentin strehohemi tek ato. Fqinjët i kemi shumë të mirë dhe gjithmonë mundohemi t’i ndihmojmë njëri tjetrit.

Mesazhi juaj për në fund?

Kësi lloj vërshime nuk kam përjetuar plot 43 vite që jetoj këtu. Duke mos ia zgjatur dorën askujt e mundoheshim ta kaloj një jetë modeste. Nuk e kemi paguar borxhin e vitit të kaluar që e morëm për ta rinovuar shtëpinë. Të ardhura kam vetëm një pension. Të gjitha sendet janë të dëmtuara. Apeloj deri tek organet kompetente për ndihmë. Me të vërtetë jemi në gjendej të vështirë. Shprehi ngushëllimet e mia më të thella deri tek ato që i humbën më të afërmit dhe shpresoj që askënd Zoti, mos e sprovoftë.

Please publish modules in offcanvas position.