Plisi, traditë e kamotshme shqiptare

Plisi, traditë e kamotshme shqiptare

“Zanatin e babës e mora vetëm unë, ndërsa vëllezërit e tjerë i shesin plisat që i prodhoj unë. Më vjen keq që biri im nuk ka interesim për këtë punë dhe tradita do të shuhet”

Për më shumë se 100 vjet, tre breza radhazi vazhdojnë traditën e punës me plisa të cilën e kanë filluar në Rugovë, e kanë përcjellë në Kaçanik, më pas në Prizren për të ardhur së fundmi në Tetovë. Sot e kësaj dite Idriz Halili, vazhdon traditën e punimit të plisave si një nga mjeshtrit e rrallë që kanë ngelur në Maqedoni. ”Me origjine jemi  nga Rugova, ku ka jetuar gjyshi i babës tim. Pastaj ata prej Gjakove janë shpërngul në Prizren, ku edhe e kanë vazhduar këtë zanat dhe në fund prej Prizreni, kemi ardhur në Tetovë”. Zanatin e babës e morra vetëm unë, ndërsa vëllezërit e tjerë i shesin plisat që i prodhoj unë”, thotë Idriz Halili, mjeshtër i plisave të bardhë. Ai, tregon edhe procedurën e punës dhe thotë se deri në fund të kësaj procedure apo përpunimit të plotë  plisi kalon 18 herë nëpër duar”.

Fillimisht e pastrojmë leshin, më pas e çojmë në makinë  me e nda, dhe më pas këtu e dredhim. Pasi e derdhim e ndajmë në disa pjesë sa për ti formuar dy anët e plisit, dhe më pas të dy pjesëve u japim formën e nevojshme dhe e shtypim mirë. Pasi këto i bëjmë në peta me sapun dhe ujë, i  vendosim për t'i tharë. Më pas i rruajmë me brisk për t’ua hequr tepricën e leshit, që është hapur anash. I marrim dhe i fusim në shtirak ku do te qëndrojnë ne gjendje te ngurte dhe me vonë përsëri i thajmë për të qëndruar po ashtu  të forta, i hekurosim me një hekur që ka formën e plisit dhe më pas ua presim skajet”,  kështu e përshkruan procedurën e punimit të një plisi që nga fillimi deri në fund Idriz Halili. Ai, thotë se brenda ditës arrin  të bëjë nga 20 plisa.

Atij i vjen keq që i biri nuk ka pasur interesim për këtë punë dhe që tradita do të shuhet. Megjithatë nuk ia merr për shumë faj atij, meqë në ditët e sodit nuk ka leverdi nga plisat, sepse interesimi për plisat ka rënë shumë .

“Në kohën e ish Jugosllavisë, tradita ishte më e madhe sepse inati ndaj pushtetit që i ndalonte njerëzit të blinin plisa ishte i madh, ndërsa sot edhe pse njerëzit janë të lirë  nuk kanë fare interesim. Para çdo feste Bajrami, bëhet fjalë për vitet e 80-ta, kurbetçinjtë me ardhjen e tyre në vendlindje vinin tek unë për të blerë plisa edhe atë për tërë pjesëtarët e familjes.  Më shumë plisa bëjmë për fëmijët të cilët bëhen synet, edhe ata i mbajnë vetëm në dasma, ndërsa të rriturit nuk blejnë plisa si më herët”,thotë Idriz Halili.

Ai, më tej shton se punon edhe kapela tradicionale të bektashinjve meqë është i vetmi në rajonin e Tetovës, që merret me këtë punë.  Më të interesuar për blerjen e plisave janë mërgimtarët të cilët edhe krenohen me veshjen tradicionale shqiptare. Çmimi i plisave nuk është edhe aq i shtrenjtë sillet 200-300 denar, varësisht prej madhësisë së plisit.

Plisi, i cili simbolizon veshjen shqiptare është unikate  dhe në asnjë kulture apo tradite tjetër  nuk ka plisa të këtillë.

Kurorë për prijësit e bektashinjve

Përveç plisave, Idriz Halili, bën edhe prodhimin e kurorave për prijësit e bektashinjve. Kurora është e përbërë prej 12 pjesëzave që pasqyron 12 muajt e vitit. Ndërsa pjesa e poshtme e kurorës është e ndarë në 4 pjesëza, që nënkupton 4 stinët e vitit.

plisi2

Lashtësia e kapeles së bardhë - PLISIT

Kapuçi i bardhë që e quajmë plis, qeleshe ose qylah, i bërë nga lesh deleje i shkelur, konsiderohet si kësulë tradicionale. Për plisin ekzistojnë do gojëdhana në lidhje me lashtësinë dhe prejardhjen e tij. Në lidhje me këtë po sjellim ca shënime të shkurtra interesante.

Duke bërë kërkime rreth studimit të zejes të qeleshepunuesve (ose plistarëve) ndër zejtarët, si dhe në popull, kemi hasur në ca gojëdhëna interesante, që meritojnë të shënohen. Një nga tregimet më interesante është ai që bën fjalë dhe konfirmon se plisi i bardhë, kapuçi tradicional i shqiptarëve është trashëguar nga Ilirët. Duke mos u bazuar në dokumentet historiko-arkeologjike, por vetë në kushtet e atëhershme ekonomike të fiseve ilire, del e logjikshme që këto tregime të kenë bazë reale. Fise të ndryshme ilire merreshin me njërën nga degët kryesore të ekonomisë, me blegtorinë. Kjo e vërtetë e konfirmuar edhe nga të dhënat historike na bën që t'u besojmë edhe gojëdhënave popullore lidhur me plisin. Duke pasur lesh delesh në sasia të mjaftueshme, Ilirët prej këtij punonin veshjet e tyre, ku hyn edhe pjesa që mbulon kokën - kapuçi. Pothuaj të gjitha pjesët e veshjes në të kaluarën njerëzit i bënin vetë në shtëpi. Më vonë shfaqen zejtarë profesionalë. Kështu qëndron puna edhe me punimin ose prodhimin e plisave.

Ky tip kapuçi mund të ishte i zi ose edhe i bardhë. I përngjet pjesës cilindrike të kapelës moderne (u muar vesh pa rreth) por, siç u tha më sipër, me fund ose maje të gropuar si varr në drejtim nga prapa kah balli. Këtë lloj plisi e mbajnë njerëz pak si më pleq dhe më seriozë në qytete e fshatra. Sot përdoren fort rrallë, kurse në shekujt e kaluar ka qenë shumë më shpesh i përdorur.

Tipi i plisit i quajtur me maje ka trajtë kupe me maje të theksuar. Një tip tjetër me maje jo të theksuar e quajnë i rrumbullakët. Në të kaluaren këta plisa ishin edhe më të gjatë, me maje më të theksuar, sepse punoheshin vetëm prej një tasllaku (polle trekëndhshe), dhe kur i ngjiteshin skajet, kapuçi merrte trajtë barizani të gjerë. Këtë lloj kapuçi mbanin pjesëtarët e fisit ilir të Dalmatëve. Kjo shihet në një pllakë guri nga Graduni, i cili ruhet në Muzeumin arkeologjik në Split. Kjo rrasë guri ka një relief në të cilin shihen figurat e dy ushtarëve ilirë të zënë robë lufte nga ushtarët romakë. Njëri nga këta dy ilirë mban në kokë një kapuç që për nga trajta është krejt i njëjtë me plisin tonë të sotëm me maje të theksuar.

Please publish modules in offcanvas position.