Investimi në dituri  të sjell përfitime të majme

Investimi në dituri të sjell përfitime të majme

Për të qenë e suksesshme në biznes duhet të fokusohesh me gjithë shpirt e zemër

Mimoza (Halili) Thaqi e lindur më 2 Tetor 1972 në fshatin Poroj të Tetovës, që në fëmijëri ajo ishte një person pozitiv, që gjithmonë reflektonte energji pozitive, vajza e cila refuzonte të njihte vetveten si viktimë e rrethanave shoqërore të qytetit ku jeton. Ajo tani është një nënë dhe biznesmene e suksesshme. Ka investuar shumë kohë dhe para që këtë dituri të ndaj edhe me të tjerët, sigurisht për ata që e kuptojnë rëndësinë e investimit në veten e tyre. “Të jesh femër, pastaj të jetosh në Tetovë, ku njerëzit investojnë vetëm në dasma e gjëra që ju ulet vlera nuk ka qenë e lehtë. Pa përkrahjen e madhe të bashkëshortit tim nuk do të arrija asgjë dhe për këtë jam shumë e sigurt. Avniu është çelësi dhe mbështetja ime kryesore në këtë rrugë. Të rinjtë e sotëm kanë ngecur në vorbullën e kalimit nga një mjedis i cili i tërheq në injorancë, në një teknologji të lartë e cila i bën më shumë se përtacë”, thotë Mimoza Thaçi, e cila me seminaret dhe projektet e ndryshme mundohet që t'i stimuloj të rinjtë që të japin maksimumin dhe ta kuptojnë se ardhmëria ju takon atyre.

Kush është Mimoza Thaçi? Si duhet ta njohim si nënë e suksesshme apo si një biznismene?

Më mirë do të thosha të më njihni si një njeri i thjeshtë se sa si çdo titull tjetër. Sepse të ngelesh NJERI në këtë botë e cila ka shumë kontraste, ajo është pjesa më e vështirë që mund të arrihet. Unë besoj se kur ke gradën NJERI pastaj mund të quash veten nënë, mësuese, mjeke, biznesmenë apo çdo lloj titulli që mund të arrish.

Si mundet që një nënë me tre fëmijë të jetë aktive në të gjitha këto sfera?

Arritjet nuk janë diçka që mund të përkufizohet si një pjesë e lehtë në jetë, se të ishte ashtu të gjithë njerëzit do t’i qaseshin kësaj rruge. Njerëzit e suksesshëm e bëjnë atë që të tjerët vetëm e mendojnë. Por ka diçka që i dallon njerëzit dhe kjo është fokusimi në diçka që me gjithë shpirt e zemër do të arrish. Kur i nisesh rrugës për sukses duhet të kesh parasysh të gjitha opsionet që do të paraqiten, duhet të bësh një listë me prioritetet...Çfarë do të fitosh nëse nuk bën asgjë, por qëndron vetëm në shtëpi dhe edukon fëmijët duke harruar veten, duke sakrifikuar jetën për ata, por duke mos ju siguruar asnjë të mirë materiale sepse duam ose nuk duam ne kjo jetë është materiale, dhe fëmijët kërkojnë kushtet e tyre Nuk ka gjë më të vështirë për një prind se sa t’i thotë jo kërkesave të fëmijëve të tyre. Në kohën kur isha e re këtë pjesë e analizova shumë dhe më është dashur të punoja, duhej fëmijët t'i dërgoja në kopsht, nuk ishte e lehtë...kur i dërgoja atje dhe u ndahesha nga ato me lot në sy. Ndonjëherë gjatë ditës më duhej t’i them stop mendimeve se si kalojnë fëmijët e mi në kopsht sepse në të kundërtën nuk duhej të punoja. Sepse kur je nënë është ajo lidhje me fëmijët që të bën të sakrifikosh gjithçka për ata. Por mendoja ardhmërinë e tyre dhe çfarë nëse nuk ju siguroj një jetë të mirë kur ata të rriten.

Kështu orientova dhe fokusova mendimet e mia për suksesin material. Në çfarë sfere të përqendrohesh atë do të arrish. Sot kur ju bëj pyetjen fëmijëve të mi a do të donin të kenë mamin në shtëpi dhe të jetonin një jetë të zakonshme, apo më mirë mami të punoj e të kenë këtë jetë që tani jua mundësova, sigurisht përgjigja e tyre është e duan këtë jetë. Sepse tani unë kam arritur në nivelin jetësor kur mund të qëndroj me ata sa herë të dua dhe kur të dua, punët tani mund t’i kryej edhe nga shtëpia dhe në të njëjtën kohë të jem afër tyre, në përjashtim të rasteve të udhëtimeve të ndryshme që i kërkon puna ime.

Ju merrni pjesë në seminare dhe trajnime të ndryshme. Cila është esenca dhe mesazhi i këtyre ligjëratave?

Beteja më e madhe që ka një njeri është me veten, edhe pse ne mendojmë se të tjerët janë fajtor. Prandaj vendosa që të krijoj një Klub për Zhvillim Personal që titullohet “I am-Power”, aty kam mbledhur dituri të specializuar për ata që duan të arrijnë një jetë më të mirë. Këtë dituri e kam marrë nga trajnime të shumta për një kohë 6 vjeçare në SHBA, nga trajner dhe biznesmen shumë të suksesshëm. Kam investuar shumë kohë dhe para që këtë dituri të ndaj edhe me të tjerët, sigurisht për ata që e kuptojnë rëndësinë e investimit në veten e tyre. Seminaret janë baza e trajnimeve, aty pjesëmarrësit e ndjejnë energjinë pozitive dhe zbulojnë talentet dhe ëndrrat e tyre te përgjumura.

Keni lexuar dhe keni shkruar edhe libra, disa prej tyre i keni përkthyer?

Që të jesh një Lider duhet të lexosh, edhe atë duhet të lexosh shumë. Librat që më kanë ndihmuan mua në këtë rrugë i përktheva në gjuhën shqipe, edhe pse nuk jam e profesionit përkthyese, por kur njeriu do të bëj diçka e gjen mënyrën si ta bëj. Janë Librat e Napoleon Hill, nga i cili pastaj janë të shkruara të gjithë librat tjerë që i njohim si libra të suksesit në jetë, aty janë bazat kryesore për çdo sukses në jetë. Është libri “Ligji i Suksesit në 16 mësime”, është “Mposhtja e Djallit”, janë librat e Wallance D Watless, “Shkenca e Pasurisë dhe e Madhështisë”, janë audio librat “Dëshira Juaj është Urdhri Juaj” etj. Si dhe librin që e ndaj falas në internet “Mendo dhe Pasurohu me Mua” që e kam shkruar vetë. Nga librat mund të mësoni si të tjerët kanë arritur suksesin e tyre dhe kjo ju inspiron se edhe ju mundeni. Nëse dikush tjetër që është njeri dhe vetëm njeri mundet të ketë sukses atëherë këtë mundeni ta arrini edhe Ju.

Ju keni themeluar programin “I am power”, “Unë jam fuqia”. Kur u themelua dhe si vijon ky proces?

“I am-Power” u krijua në fillim të viti 2015, aty janë të regjistruar anëtarë shqiptarë nga e gjithë bota. I am- Power është dituri e specializuar për studim nga shtëpia. Vitin e kaluar e ndamë edhe kupën “I am-Power” të cilën e mori një biznesmen nga Podujeva, i cili kishte arritur të aplikojë mësimet dhe të krijoj një shumë prej 1 milion eurove në biznesin e vet në afat prej një viti. Do të thotë investimi në dituri të sjell interesat më të larta.

Dituria e specializuar është një nga karakteristikat e njerëzve shumë të suksesshëm.

Fillimisht keni punuar si shitëse në një parfumeri, mirëpo tani jeni një biznismene e suksesshme?

Në fakt edhe pse e vështirë kështu ka filluar edhe rruga ime, edhe kur punoja për të tjerët bëja më të mirën e mundshme që të mos kritikohem nga pronarët. Nuk ishte e lehtë të punosh për dikë tjetër prandaj me sugjerimet nga babai im, unë hapa librarinë dhe pastaj nga aty çdo gjë filloi të marr drejtimin e duhur. Të jesh femër, pastaj të jetosh në Tetovë ku njerëzit investojnë vetëm në dasma e gjëra ku ulen vlera nuk ka qenë e lehtë për mua dhe bashkëshortin tim, por dashuria e madhe për njëri tjetrin dhe qëllimet e përbashkëta na ndihmuan që të krijojmë jetën që duam. Pa përkrahjen e madhe të bashkëshortit tim nuk do të arrija asgjë për këtë jam e sigurt. Avniu është çelësi dhe mbështetja ime kryesore në këtë rrugë.

Si e vlerësoni situatën e të rinjve dhe sa janë të motivuar ato për të bërë diçka ndryshe?

Të rinjtë e sotëm kanë ngecur në vorbullën e kalimit nga një mjedis i cili i tërheq në injorancë- në një teknologji të lartë e cila i bën më shumë se përtacë. Kanë përfunduar shkollimin dhe nuk gjejnë dot punë, sepse mendojnë se e vetmja rrugë është të gjejnë një punë në profesionin e tyre. Jeta nuk është e lehtë si ata e kanë perceptuar në mendjet e tyre, përveç shkollimit duhet të bëjnë edhe diçka tjetër. Nuk duhet të kenë turp që të punojnë cilën do punë që ta GJEJNË...Vetëm ai që punon duke mos zgjedhur punën si fillim do të arrij të gjej punën që do , punën e të cilën do ta bëjë me dashuri dhe vullnet. Duhet të largojnë EGON dhe t’i përvishen punës.

Jam mirënjohëse për këtë intervistë dhe për këta pyetje shumë të qëlluara. Ju uroj shumë suksese.

Please publish modules in offcanvas position.