Fethullah Gylen: Prej koronavirusit, një Ramazan si ky nuk është përjetuar kurrë më parë. Por ai nuk do ta ndryshojë besimin tonë te Zoti

Muaji i shenjtë i myslimanëve, Ramazani, do të jetë ndryshe këtë vit. Nëpër të gjithë botën xhamitë janë të mbyllura, në një kohë që, normalisht, ato do të ishin të mbushura plot e përplot me besimtarë, masa e të cilëve do të derdhej deri në rrugë.

Shumë familje do ta kalojnë atë të ndarë nga njëri-tjetri, në një kohë që, si zakonisht, ata do të mblidheshin me njëri-tjetrin nëpër tryezat e iftarit për të çelur agjërimin dhe për të ndarë me njëri-tjetrin gatimet e shijshme të shtëpisë. Qendrat tregtare, kafenetë dhe rrugët, gjithashtu, do të jenë tmerrësisht të qeta, ndërkohë që ato do të ishin plot jetë fill me rënien e errësirës.
E megjithatë, të enjten në mbrëmje Ramazani filloi dhe, në orët e para të mëngjesit të së premtes, pjesëtarët e çdo familjeje u mblodhën në tryezat e tyre, njësoj siç kanë bërë për shekuj me radhë, për të ndarë me njëri-tjetrin syfyrin e përgjumët – vakti që hahet para agimit.

Megjithëse bota është e mbërthyer nga tutela e COVID-19, ritualet shumëvjeçare të Ramazanit do të vazhdojnë. Gjatë gjithë këtij muaji të bekuar pjesa më e madhe e 1.8 miliardë myslimanëve anekënd botës do të agjërojnë nga agimi në perëndim, do të kalojnë kohë duke kënduar Kuran, duke medituar me e për veten dhe duke u lutur, në përpjekje për t’u afruar edhe më shumë me Zotin, dhe për t’i shprehur Atij falënderimet e sa e sa të mirave që na ka falur Ai. Por, sivjet, të përjashtuar nga agjërimi, siç parashikohet për fëmijët e vegjël, udhëtarët, nënat shtatzëna dhe ata që janë në gjendje shëndetësore të pamundur, do të jenë edhe ata që ndiejnë simptomat e COVID-19.

Poende këtë vit, pjesë e pandarë e lutjeve tona do të jenë veçanërisht edhe të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor, punonjësit e urgjencave dhe gjithë nëpunësit e tjerë në fushat e qenësishme të jetës së shoqërisë, të cilët janë në radhët e para të luftës, në mbrojtje të komuniteteve. Në sytë e Zotit, të shpëtosh jetë njerëzore dhe të jesh në dobi të njerëzve janë përpjekjet më fisnike të njeriut: Kurani, shpëtimin e një jete të vetme njerëzore e barabit me shpëtimin e mbarë njerëzimit dhe, Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi Të) thotë se më të mirët ndër njerëz janë ata që janë të dobishëm për njerëzit e tjerë.

Detyrimi që ne kemi për t’u ardhur në ndihmë dhe për t’i mbështetur të gjithë ata që janë në nevojë, gjatë këtij viti merr edhe një tjetër domethënie shtesë, ndërsa fqinjët dhe shoqëritë në të cilat jetojmë përballen me sëmundjen, hidhërimin, vështirësitë ekonomike dhe vetminë e izolimit.

Ndoshta detyrimi më i vështirë për shumë do të jetë ai i heqjes dorë nga takimet dhe grumbullimet e planifikuara gjatë kësaj periudhe, duke qenë në përputhje me të gjitha masat e marra nga autoritetet. Por, ndjekja me përpikëri e këtyre masave është një detyrë qytetarie për ne, por edhe një domosdoshmëri e përgjegjësisë sociale që ne kemi për të respektuar ligjet e Zotit në gjithësi. Për shembull, Profeti Muhamed – besimi dhe devotshmëria e të Cilit ndaj Zotit kanë qenë përtej çdo përshkrimi – ka këshilluar karantinimin e gjithë vendit në rast të një sëmundjeje infektive.

Secili prej nesh duhet ta vlerësojë më së miri kohën dhe hapësirën shtesë që janë krijuar si rrjedhojë e masave të distancimit social gjatë pandemisë, duke e parë këtë si një mundësi për të hedhur edhe njëherë një vështrim më të gjerë ndaj lidhjes që kemi me Zotin, familjen dhe vlerat tona themelore. Kjo kohë na ka ofruar të gjithëve një pushim të detyruar nga natyra e ngarkuar e ditëve tona të përditshme, si edhe një shans për t’u kthyer nga Zoti, për t’u thelluar në besimin tonë tek Ai, si në dije, ashtu edhe në praktikë. Kam shpresë se të gjithë imamët nëpër botë do t’ua kenë rikujtuar vazhdimisht bashkësive të tyre këto mundësi.

Gjithashtu, kjo periudhë na detyron neve që të mbështetemi edhe më shumë tek interneti dhe te teknologjitë e ngritura mbi të. Brezat e rinj janë njohës më të mirë të këtyre teknologjive, çka bën që ata të jenë disa hapa më përpara krahasuar me prindërit e tyre. Përgjatë historisë, të dërguarit e Zotit dhe ata që janë rrekur për ndriçimin e njerëzimit kanë përdorur gjithmonë të gjitha mjetet dhe praktikat e mundshme kulturore, si e si për ta bërë të dëgjohej sa më gjerësisht mesazhin e tyre. Prandaj, edhe ne duhet të përdorim çdo mundësi për t’u lidhur me bashkësitë tona me mënyra të reja, përfshi këtu edhe që t’u ofrojmë brezave të rinj të gjitha burimet tona shpirtërore, duke përdorur gjuhën dhe teknologjitë e njohura më mirë prej tyre.

Sfidat për t’iu përgjigjur pandemisë dhe ndryshimi i rrjedhës së jetëve tona mund t’i shtyjnë disa prej nesh që të kërkojnë fajtorët që duhen akuzuar, apo kritikuar. Mirëpo ne jemi duke hyrë në Ramazan, dhe më e rëndësishmja është që ne t’i kushtohemi ardhjes në ndihmë atyre njerëzve që janë në nevojë, në vend se të gjejmë faj te të tjerët. Mbi të gjitha, tani që popuj, grupime dhe kombe të tëra, me të cilat ne kemi pasur dallime të mëdha që nga e shkuara, janë duke vuajtur, çdonjëri prej nesh duhet ta refuzojë, duke e konsideruar çnjerëzor mendimin se ndokush e ka merituar fatkeqësinë.

Në një botë të globalizuar, askush nuk është krejtësisht i izoluar ndaj një problemi potencial, qoftë ai mjedisor, mjekësor, apo ekonomik. Kjo është koha për të ndarë çdo informacion, si dhe për të bashkëpunuar në gjetjen e zgjidhjeve. Kjo është koha për të kuptuar ndërvarësinë që kanë me njëra-tjetrën kombet, komunitetet dhe banorët e një ekosistemi global – një kohë për të dalluar se ne jemi të gjithë pjesëtarët e familjes së madhe të njerëzimit dhe për të treguar se secili prej nesh mund të gjejë te vetja mundësinë për të treguar se cili është potenciali i vërtetë i njerëzimit.

E teksa përfshihemi në atmosferën e këtij muaji të bekuar, ne duhet medoemos të shohim drejt së ardhmes me shpresë dhe jo me dëshpërim, pasi dëshpërimi i ngurtëson njerëzit dhe e bën progresin të pamundur. Në të shkuarën njerëzimi ka kapërcyer sfida shumë të mëdha, ashtu siç do t’i gjejmë edhe ne rrugëzgjidhjet për ta kapërcyer edhe këtë sfidë. Por, nëse ne do të përqendrohemi në mundësitë që paraqet kjo pandemi, ne do të mund ta ruajmë motivimin e lartë dhe do të arrijmë më shpejt drejt fundit të këtij tuneli.

Patjetër, përjetimi i Ramazanit sivjet do të jetë ndryshe. Megjithëse në një mënyrë, apo në një tjetër, ai do të jetë po i njëjti, si çdo vit tjetër më parë: do të mbajmë agjërimin, do të lutemi, do të lexojmë prej librit tonë të shenjtë dhe do të kalojmë kohë duke medituar dhe duke u përpjekur që të bëjmë vetëm mirë përgjatë kësaj prerjeje të bekuar të kohës. Lus Zotin të na mundësojë që të përfitojmë sa më plotësisht prej begatisë dhe mirësive të Ramazanit.