Diabeti dhe agjërimi

Diabeti dhe agjërimi

Shumë të sëmurë diabetikë agjërojnë në ramazan pa u lëkundur fare e pa e menduar sëmundjen.

A mund të mbajnë agjërim të sëmurët diabetikë?

Mjekët specialistë që e dinë përgjegjësinë moralo-shpirtërore të mosmbajtjes së agjërimit, mund ta kenë të vështirë të japin përgjigje, po të pyeten mbi çështjen nëse të sëmurët diabetikë duhet të mbajnë apo s'duhet të mbajnë agjërim. Agjërimi mund t'i vërë në rrezik të sëmurët e rëndë diabetikë, tek ta mund të ndodhë rënia e rrezikshme e sheqerit në gjak, gjë që quhet hipoglicemi dhe mund të shfaqen pasojat negative të saj.

Nga ana tjetër, nuk mund të mohohet se mbajtja e agjërimit në muajin e ramazanit krijon tek personi një kënaqësi moralo-shpirtërore si rrjedhojë e zbatimit të urdhrit të Allahut dhe se kjo ka një efekt qetësues.  Të sëmurët diabetikë duhet ta dinë se gjendja e stresit, duke rritur sasinë e sekrecionit të lëndës së quajtur katekolaminë që sekretohet nga gjëndrat mbiveshkore (surrenale), shkakton rritjen e nivelit të sheqerit në gjak. Diçka që e pakëson gjendjen e stresit apo shqetësimit, si, për shembull, kënaqësia shpirtërore e personit që agjëron, i jep mundësi kontrollit të sheqerit. Kështu, agjërimi në muajin e ramazanit mund të ketë edhe aspekt të dobishëm në kontrollin e nivelit të sheqerit.

Kush janë të sëmurët diabetikë që mund të mbajnë agjërim?

  • Për të sëmurët diabetikë që do të mbajnë agjërim, ka disa parime dhe kritere. Këto mund të radhiten kështu:
  • Të sëmurët diabetikë meshkuj duhet të jenë mbi 20 vjeç. Pra, sëmundja e tyre duhet të jetë lloj diabeti që shfaqet tek të rriturit.
  • Të sëmurët diabetikë femra mbi 20 vjeç nuk duhet të jenë shtatzëna dhe me fëmijë në gji.
  • Personi duhet të jetë me peshë normale ose pak mbi peshë.
  • Në nivelin e sheqerit në gjak s'duhet të kenë ulje-ngjitje të theksuara të nivelit të sheqerit në gjak, s'duhet të kenë hipoglicemi (rënie të nivelit të sheqerit) dhe ketozë (shtimi në gjak i lëndëve ketonike, acetonit, acidit acetoacetik dhe acidit betahidroksibutirik) si dhe të mos kenë infeksione.
  • Tek këta të sëmurë nuk duhet të ketë sëmundje të dyta të rënda, të tilla si hipertension të rëndë (200/120 mm Hg), sëmundje të arterieve koronare, gurë në veshka, pulmonit obstruktiv kronik ose emfizemë pulmonare.
  • Trupi i këtyre të sëmurëve duhet të jetë i ndjeshëm ndaj dietës së këshilluar për të sëmurët diabetikë. Pra, trupi i tyre duhet t'i japë përgjigje dietës.
  • Duhet të mjekohen me Biguanid ose Sulfonilure ose me të dyja bashkë, pra trupi i tyre duhet t'i japë përgjigje mjekimit me ilaçe.

Cilat janë këshillat për të sëmurin diabetik që agjëron?

Personat e sëmurë me diabet por të pavarur nga insulina, të cilët kërkojnë të agjërojnë,  mund të agjërojnë duke respektuar këshilla dhe porosi të caktuara dhe nën një vëzhgim mjekësor të vëmendshëm. Këto këshilla dhe porosi mund t'i përmbledhim kështu:

  • Më e pakta, të mbajnë një regjim ushqimor të rreptë dhe, duke i përdorur ilaçet e marra prej goje si dhe insulinën në dozën më të përshtatshme, ta mbajnë sheqerin në gjak në një nivel të caktuar. Për shembull, duhet të bëjnë përpjekje për ta sjellë glikohemoglobinën, niveli normal i të cilës është 4-5.7 mgr/dtl (100 cm3), në një nivel të afërt me 7 mgr/dtl. Sheqeri i gjakut i urisë që është normalisht nën 140 mgr/dtl, duhet të jetë 150 mgr/dtl ose më poshtë. Sheqeri i gjakut i rastësishëm që normalisht është më poshtë se 200 mgr/dtl, duhet të jetë gjer në 250 mgr/dtl. Këta persona, po deshën, në muajin para ramazanit mund të mbajnë 1-2 ditë agjërim nafile për provë.
  • Në ramazan do të respektojnë patjetër regjimin ushqimor të kufizuar në mënyrë të përcaktuar dhe të këshilluar për diabetikët. Do të shmangen nga ushqimet me shumë yndyrë dhe karbohidrate. Në syfyr dhe iftar do të hanë mundësisht sa më pak.
  • Agjërimin duhet ta hapin mu në kohë me lëng frutash ose me një kokërr hurma. Para se të hanë bukë, duhet ta shohin se sa e kanë nivelin e sheqerit në gjak. Pastaj duhet të marrin dozën e zakonshme të mbrëmjes ose ilaçet e përdorura nga goja. Më pas duhet të hanë ushqimin e iftarit me kalori të kontrolluar. Syfyrin kurrsesi s'duhet ta nënvleftësojnë apo ta lënë pa ngrënë.
  • Nivelin e sheqerit në gjak duhet ta matin para namazit të jatsisë. Po qe se niveli i sheqerit në gjak u del më i lartë se 200 mgr/100cm3, ushqimin e iftarit të ditës së nesërme duhet ta pakësojnë 20%.
  • Pas namazit të teravive, para gjumit, duhet të hanë një ushqim të lehtë që të mos i kalojë 100 kalori.
  • Para syfyrit mund ta matin nivelin e sheqerit në gjak. Po qe se niveli i sheqerit në gjak u del më i lartë se 200 mgr/100cm3, ushqimin e syfyrit duhet ta pakësojnë 20%. Po qe se niveli i sheqerit u del 350 mgr/100cm3, duhet ta prishin agjërimin. Humbja e ujit (dehidratimi) mund të shkaktojë ketoacidozë (shtimi në gjak i lëndëve ketonike të lidhura pas diabetit).
  • Ata që do të mbajnë agjërim, para se ta fillojnë agjërimin duhet të pinë të paktën 2 gota ujë.
  • Duke qenë të agjëruar, duhet t'i bëjnë aktivitetet fizike dhe veprimtaritë ditore normale. Nuk duhet ta kalojnë kohën në gjumë. Pas dreke, por shumë afër iftarit, mund të bëjnë një gjimnastikë të lehtë prej 10-15 minutash.
  • Po qe se, ndërsa janë të agjëruar, ndjejnë një gjendje hipoglicemie (rënieje të nivelit të sheqerit), menjëherë duhet të bëjnë kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak. Po qe se, ndërsa janë të agjëruar, niveli i sheqerit u zbret nën 50 mgr/dtl, duhet ta prishin menjëherë agjërimin.

Simptomat (shenjat) kryesore të hipoglicemisë janë këto:

  • djersitje dhe dridhje e shumtë;
  • rrahje zemre e shpejtë;
  • marrje mendsh dhe të fikët;
  • mungesë aftësie përqëndrimi mendor mbi një çështje apo diçka;
  • ndjeshmëri dhe nervozizëm i theksuar
  • lëkurë e ftohtë, ngjitëse dhe e lagësht.

Please publish modules in offcanvas position.