Cilat janë urtësitë dhe mirësitë e agjërimit?

Cilat janë urtësitë dhe mirësitë e agjërimit?

 Urdhrat dhe ndalesat e Allahut patjetër që janë për të mirën e robit të tij.

Është një e vërtetë e patjetërsueshme që në urdhëresat e Allahut ka dobi të mëdha dhe në të ndaluarat prej Tij ka dëme si për njeriun ashtu dhe për shoqërinë. Në fakt, jo gjithmonë njeriu ka mundur të kuptojë urtësitë e plota në lidhje me obligimet e urdhëresat e Allahut. Ka adhurime urtësitë e të cilave nuk kuptohen plotësisht nga njeriu. Ajo që i takon besimtarit është që t’i kryejë ato duke besuar se Krijuesi i Gjithësisë në çdo gjë që krijon, bën apo urdhëron ka urtësi të mëdha. Një nga adhurimet më të rëndësishme të diskutuara dhe studiuara më shumë është dhe agjërimi.

Qëllimi kryesor i adhurimit është që ta ngrejë njeriun në nivelin më të lartë të devotshmërisë. Këtë e mësojmë shprehimisht në librin plot urtësi të Allahut (xh.sh.), Kuranin Famëlartë: “O besimtarë. Ju është urdhëruar agjërimi ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat dhe të arrini devotshmërinë…” (Bekare, 2: 183-184.)

Agjërimi, duke e futur besimtarin në një edukim shpirtëror, i mundëson atij që ta çlirojë shpirtin dhe trupin nga gjynahet e mbledhura gjatë kohës. Këtu besimtari bëhet i denjë shpirtërisht të kuptojë dhe arrijë sekretin e ajetit “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin do të shpëtojë” (Shems, 91/09). Ashtu si sadakaja dhe zekati i pastron besimtarët (Teube: 9/103), ashtu dhe zekati i trupit që është agjërimi, e shpëton njeriun nga shtypja nën sundimin e nefsit (İbni Maxhe, Sijam, 44).

Agjëruesi duke thyer zinxhirët e nefsit kapet fort pas litarit të Allahut. Ndërkohë që nefsi duke e bërë njeriun egoist e shtyn drejt vetmisë, duke u kapur pas litarit të Allahut, njeriu kujton dhe ndjen edhe një herë se është një qenie sociale. Në shpirtin e njeriut futet thellë ndjenja e solidaritetit dhe duke u mbledhur rreth tryezave shtohet ndjenja e vëllazërisë. I pasuri falet në një rresht me të varfrin, ulet rreth një tryeze dhe duke shpërndarë fitrah e fidje i vete në ndihmë njerëzve në nevojë duke i dhënë atyre atë që Zoti u ka caktuar.

Të mirat, begatitë dhe urtësitë e agjërimit janë të shumta. Është shumë e rëndësishme që njeriu të ushqejë mirë mendjen, zemrën dhe shpirtin gjatë Ramazanit, në mënyrë që të zbërthejë në qenien e vet urtësitë e mëdha të agjërimit.

Për kë është farz, obligim agjërimi në muajin Ramazan?

Çdo mysliman me aftësi mendore, që ka arritur moshën e pjekurisë dhe që nuk ka pengesë për të agjëruar e ka farz agjërimin e Ramazanit.

Në cilat raste mund të mos agjërohet gjatë Ramazanit?

a. Udhëtimi

Lejohet mosagjërimi në rast udhëtimi. Ditët e paagjëruara duhet të shlyhen më vonë. Nëse bën nijet të agjërosh natën, por ditën e nesërme nisesh për udhëtim, mund ta ndërpresh agjërimin nëse ke vështirësi, por e pëlqyeshme është që ai të plotësohet.

b. Sëmundja

Nëse personi ka frikë se sëmundja mund t’i shtohet apo mund t’i zgjasë më shumë, i lejohet të mos agjërojë dhe ta zëvendësojë atë pasi të shërohet. Një person të cilit mjeku i thotë që s’duhet të agjërojë dhe ai konsiderohet i sëmurë.

c. Shtatzënia dhe fëmija në gji

Nëse agjërimi i sjell dëm nënës dhe fëmijës nuk është i detyrueshëm. E njëjta vlen dhe kur nëna ka fëmijë në gji; nëse ka frikë nga pakësimi i qumështit.

d. Puna fizike e vështirë

Islami është feja e Allahut. Ai është një sistem jete perfekt dhe i balancuar. Asgjë nuk është në dëm të jetës së njeriut. Islami ka sjellë rregulla që e lumturojnë njeriun në të dy botët. Ata të cilët rrezikojnë shëndetin gjatë punës së rëndë fizike, u lejohet të mos agjërojnë, por t’i zëvendësojnë ditët e paagjëruara në ditë të tjera. Këto lehtësi mund t’i gjejmë në ajetet 183-185 të sures Bekare: “Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera më pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini. Muaji Ramazan është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.”

e. Plakja

Personat e thyer në moshë dhe ata që kanë sëmundje të pashërueshme lejohen të mos agjërojnë. Në vend të ditëve të paagjëruara duhet të japin fidje. Për shembull: Një i moshuar, apo i sëmurë i përhershëm që nuk ka mundësi të agjërojë duhet të japë sasi parash, apo ushqim, për 30 të varfër, apo për një të varfër për tridhjetë ditë. Në pamundësi për të gjetur të varfrin apo për të organizuar ushqimin e tij, mund të bashkëpunohet me strukturat e KMSH-së në qendër apo në rrethe. Sasia e parave për një të varfër vendoset nga institucioni fetar por logjikisht mund të përllogaritet sasia e parave të harxhuara për ushqimin ditor. Kjo e vërtetë na jepet në ajetin e mësipërm: “Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.”

Please publish modules in offcanvas position.