SA­DAK­A­JA E FI­TRIT

SA­DAK­A­JA E FI­TRIT

Fitr do të thotë krijim, natyrë, mbyllje e agjërimit, etj. Sadakaja ose lëmosha e fitrit quhet shkurt edhe fitre. Sadakaja e fitrit është një adhurim pasuror (material) që e kanë për detyrë ta zbatojnë muslimanët që zotërojnë pasurinë e quajtur nisab (përveç nevojave të përditshme) si dhe personat që kanë nën kujdestari, të cilët arrijnë bajramin e ramazanit.

Dhënia e sadakasë së fitrit, sipas hanefitëve, është vaxhib, kurse sipas shkollave të tjera, është farz. Sadakaja e fitrit quhet ndryshe edhe "zeqat për kokë". Ky emërtim niset nga fakti që sadakaja e fitrit është një përgjegjësi e mbështetur mbi personat (mbi numrin e personave të familjes të përbërë nga kryefamiljari ose kujdestari, si dhe personat që janë nën kujdestari). Kurse shkaku i konkludimit të sadakasë së fitrit si vaxhib, e shprehur teknikisht, është arritja e personit në ditën e parë të bajramit të ramazanit.

Në shumë hadithe, Profeti (s.a.s.) ka urdhëruar dhënien e sadakasë së fitrit. Një hadith profetik i rrëfyer nga Abdullah b. Omeri, është kështu: "I Dërguari i Allahut e ka caktuar sadakanë e fitrit 1 sá (masë) hurma dhe 1 sá elb për person (skllav, mashkull, femër, të madh, të vogël) dhe ka urdhëruar të jepet para se njerëzit të dalin për të falur namazin e bajramit (të ramazanit ose fitrit).

Sadakaja e fitrit është një adhurim që ka zënë vendin e vet në fe si një falënderim ndaj dhuntisë së jetës dhe trupit të favorizuar nga Allahu për personin dhe personat që ai ka nën kujdestari. Prandaj, mbajtja e agjërimit nuk është kusht që sadakaja e fitrit të jetë ose të bëhet vaxhib. Edhe ata që s'mbajnë agjërim ose që s'munden të mbajnë agjërim, e kanë vaxhib të japin sadaka fitri.

Sadakaja e fitrit bart edhe kuptimin e falënderimit ndaj Allahut të Lartë që i bëri muslimanët, të cilët mundën ta plotësojnë atë vit adhurimin e agjërimit, të aftë për ta kryer këtë adhurim.

Në të njëjtën kohë, siç bëhet e ditur në hadithin profetik, për muslimanin që ka mbajtur agjërim, sadakaja e fitrit plotëson mangësitë e adhurimit të tronditur me sjellje që s'i kanë hije personit të agjëruar. Gjithashtu, sadakaja e fitrit siguron pjesëmarrjen e të varfërve në gëzimin e bajramit.

Veçanërisht, është thënë se dhënia e sadakasë së fitrit është shkak për pranimin e agjërimit, për shpëtim, për lehtësimin e vuajtjeve të çastit të vdekjes dhe të varrit.

Sadakaja e fitrit zbatohet nga personat përgjegjës në një kuadër shumë më të gjerë se zeqati. Kështu, çdo njeri që ka mundësi për të dhënë sadakanë e fitrit, shijon kënaqësinë e dhënies së diçkaje në rrugën e Allahut, sheh dhe kupton më nga afër gjendjen e njerëzve nevojtarë në shoqëri. Nga ana tjetër, edhe njerëzve të varfër u zgjatet dora e ndihmës duke ua ruajtur nderin dhe duke mos i lënë të detyruar të kërkojnë. Kështu, mes individëve që jetojnë në të njëjtën shoqëri, ngrihet dhe funksionon edhe një urë tjetër vëllazërie dhe miqësie!

Please publish modules in offcanvas position.