LLOJET E AGJËRIMIT: Agjërimet farz

LLOJET E AGJËRIMIT: Agjërimet farz

Agjërimi i ramazanit: Në Islam, njëri prej adhurimeve që duhet të kryejnë personat përgjegjës, është edhe agjërimi. Përgjegjësia fetare në Islam formohet kur personi ka zhvillim mendor normal dhe ka arritur moshën e pubertetit.

Një musliman që i plotëson këto kushte, e ka për detyrim (farz) që një herë në vit gjatë muajit të ramazanit të agjërojë sipas kushteve të përcaktuara nga Kur'ani, hadithi dhe mendimi i njëzëshëm i autoriteteve (ixhma).

Agjërimet kaza: Janë dy llojësh: I pari, agjërimi kaza pas ramazanit i agjërimeve të pambajtura ose të prishura të ramazanit për shkaqe të justifikueshme fetarisht. Kështu, po qe se dikush nuk mban agjërim ose e prish agjërimin sepse është në udhëtim ose i sëmurë, gjithashtu, po qe se një femër nuk mban agjërim ose e prish agjërimin për shkak se është me të përmuajshme ose lehonë, të gjithë këta i zëvendësojnë pas ramazanit, në një kohë të përshtatshme, një për një ditët e paagjëruara gjatë ramazanit për shkaqet e përligjura fetarisht si më sipër.

Këtë, Kur'ani e shpreh kështu: "Kush nga ju është në udhëtim ose i sëmurë, aq ditë sa nuk ka mundur t'i agjërojë, t'i agjërojë në ditë të tjera!" I dyti, agjërimi kaza i agjërimit nafile të prishur. Po qe se një adhurim si namazi ose agjërimi, i filluar si nafile, lihet në mes pa u plotësuar për ndonjë shkak çfarëdo, është detyrim (farz) të zëvendësohet më pas. Lidhur me këtë, Hz. Aisheja na përcjell këtë hadith: "Unë dhe Hafsaja ishim të agjëruara. Por neve na sollën një gjellë që na pëlqeu dhe e hëngrëm.

Më pas, kur erdhi i Dërguari i Allahut, Hafsaja i foli menjëherë para meje: "O i Dërguari i Allahut! Ne ishim të agjëruara. Por neve na sollën një gjellë që na pëlqeu dhe e hëngrëm!" Dhe i Dërguari i Allahut na tha: "Në vend të kësaj dite, agjëroni një ditë tjetër si kaza!"

Agjërimi i kushtimit (nedhr): Kushtimi (nedhr-dedikim, premtim) është marrja përsipër, vënia si detyrë vetes e një veprimi të lejueshëm me qëllim madhërimin e Allahut. Kushtimi i disa veprimeve që mund të konsiderohen si adhurime, vetëm për të fituar pëlqimin e Allahut, është i pranueshëm dhe shkak për fitimin e mirësisë (sevap). Kushtimi mund të bëhet në këtë formë: "Nesër do të agjëroj (ose do t'u shpërndaj kaq e aq ndihma të varfërve) duke ia kushtuar pëlqimit të Allahut!" Personi që bën një kushtim të tillë, e ka për vaxhib (domosdoshmëri) ta plotësojë kushtimin, sepse Zoti thotë: "... t'i plotësojnë kushtimet (premtimet)!" Edhe i Dërguari i Allahut ka thënë: "Kush të premtojë se do t'i bindet Allahut, t'i bindet, kush premton ta kundërshtojë Allahun, të mos bëhet rebel, i ulët!"

Agjërimi i kundërshpërblimit (kefaret): Është agjërimi i mbajtur si kundërshpërblim për prishjen e agjërimit të ramazanit pa ndonjë shkak të justifikueshëm, në mënyrë të vetëdijshme e të ndërgjegjshme. Kohëzgjatja e agjërimit për kundërshpërblim është dy muaj radhazi. Argument për këtë është hadithi i përcjellë nga Ebu Hurejre: "Një njeri erdhi te i Dërguari i Allahut dhe i tha: "O i Dërguari i Allahut, unë u shkatërrova!" Profeti (s.a.s.) e pyeti: "Ç'është ajo gjë që të shkatërroi ty?" Njeriu iu përgjigj: "Hyra në marrëdhënie me gruan në ramazan!"

Atëherë, Profeti (s.a.s.) i tha kështu: "A mund të gjesh mall sa për të çliruar një skllav?" Njeriu iu përgjigj: "Jo!" Profeti (s.a.s.) e pyeti: "A mund të mbash agjërim dy muaj radhazi?" Njeriu iu përgjigj: "Jo!" Profeti (s.a.s.) e pyeti: "A mund të gjesh mundësi për të ushqyer gjashtëdhjetë të varfër?" Njeriu iu përgjigj: "Jo!" Pastaj njeriu u ul. Në këtë mes, Profetit i prunë hurma në një trastë. Duke ia zgjatur trastën njeriut, Profeti (s.a.s.) i tha: "Merri këto hurma dhe shpërndajua të varfërve si sadaka (lëmoshë). Njeriu i tha: "A ka më të varfër se ne? Në tërë gurishten e zezë mes lindjes dhe perëndimit të Medines nuk ka familje më nevojtare se ne!" Atëherë, Profeti (s.a.s), duke qeshur sa iu dukën dhëmbët, i tha: "Shko dhe jepja familjes t'i hanë!"