Aborti, trend në rritje e sipër

Aborti, trend në rritje e sipër

Aborti në Maqedoni, sipas disa statistikave, është dukuri që rritet nga dita në ditë. Një statistikë thotë se çdo e pesta shtatzëni përfundon me abort, mendoj se është rrëqethëse dhe këto shifra janë marramendëse. Abortet kryhen nëpër institucione të ndryshme, por më së shumti në laboratori private, për shkak të ruajtjes së identitetit. Shkaqet e abortit janë të ndryshme: gjendja e rëndë ekonomike, pakënaqësia e prindërve nga gjinia e foshnjës, e deri te abortet e vajzave të reja e të pa martuara, që për fat të keq ndodhin edhe pa dijen e prindërve. Gjinekologë të ndryshëm apelojnë tek familjarët që të jenë në komunikim më të hapur me fëmijët e tyre dhe të flasin haptazi për këtë temë.

 

Ka disa komplikime që mund të ndodhin gjatë kryerjes së abortit, megjithatë femrat e grup-moshave të ndryshme janë të njoftuara nga specialisti ose ekipi mjekësor – shprehet Mendu Jegeni, gjinekolog dhe drejtor i spitalit gjinekologjik “Nënë Tereza” në Çair të Shkupit. Lidhur me këtë problematikë, zhvilluam një bisedë më të gjatë për revistën tonë.

Mendu Jegeni

Cilat janë rreziqet apo komplikimet e mundshme gjatë abortit?

Komplikimet e mundshme gjatë kryerjes së abortit janë të shumta. Gjinekologët i klasifikojnë në dy grupe: të hershme, që paraqiten gjatë kryerjes së intervenimit (gjakosje, përforcimi i mitrës, reaksione alergjike të medikamenteve që përdoren) dhe të vonshme (gjakosje të prolonguar, mbetje të indeve të embrionit, infeksionet me pasojat e tyre…

Sa janë të informuara rreth këtyre komplikimeve femrat, të cilat vendosin për një ndërhyrje të tillë?

Femrat e grupmoshave të ndryshme që vendosin t’i nënshtrohen këtij intervenimi në institucione shëndetësore të licencuara nga ministria e shëndetësisë, detyrimisht njoftohen nga specialisti ose ekipi mjekësor i institucionit për të gjitha rreziqet edhe pasojat e mundshme të abortit.

Çfarë thotë ligji në Republikën e Maqedonisë në lidhje me abortin?

Aborti si fenomen në RM është legal, do të thotë se çdo individ i gjinisë femërore që veç problemeve shëndetësore ka dhe arsye të tjera, mund t’i nënshtrohet këtij intervenimi, me atë që si parakusht duhet detyrimisht pacientit t’i shpjegohet për të gjitha rreziqet dhe pasojat.

Çfarë mendoni, pse ka shënuar rritje aborti?

Nuk jam i informuar me statistikat e sakta në lidhje me abortin, mirëpo, për fat të keq, shihet qartë se është një trend në rritje e sipër. Arsyet janë nga më te ndryshmet, kryesisht sociale, por mund të jenë dhe nga gjendja e rëndë ekonomike.

Çfarë thotë feja Islame në lidhje me abortin?

Aborti është një krim, nëse ai kryhet pasi fetusit t’i jetë dhuruar shpirti dhe pa qenë në rrezik jeta e nënës. Aborti mund të kryhet vetëm me lejen e femrës/gruas, e atë duhet ta realizojë mjeku apo ekipi i mjekëve që janë të thirrur për këtë intervenim, – shprehet Shaban Sulejmani, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup.

Një nga pesë qëllimet universale të Sheriatit islam hyn edhe ruajtja e jetës, si dhe kujdesi dhe ruajtja e pasardhësve (gjenezës), në kuptimin e të ruajturit të jetës së brezit të tashëm dhe të jetës së brezave që do të vijnë. Pasardhësit, si synim të cilin e fokuson sheriati islam, është objektivi që kërkohet nga i tërë komuniteti islam, kujdes i lartë për të dhe për myslimanët, që duhet kultivuar me vetëdije të lartë, objektiv ky, pra, që llogaritet si një nga pesë universalitetet e sheriatit. Apo, thënë ndryshe, sheriati islam kërkon të kihet kujdes për vazhdimësinë e llojit njerëzor në këtë tokë. Islami në këtë mënyrë sqaron se bota duhet ndërtuar, udhëhequr, zbatuar e respektuar urdhrat hyjnore, me çka do të garantohet e drejta se si kërkohet të bëhet vazhdimësia e llojit njerëzor sipas rregullave islame. Kjo ka bërë që edhe Perëndia të ndalojë vrasjen e njeriut, duke e thënë atë qartë e në mënyrë decidive në disa versete Kur’anore: “dhe mos vritni veten tuaj”; duke e ndaluar po ashtu rreptësisht vrasjen e fëmijëve: “dhe mos i vritni fëmijët tuaj nga varfërimi”.

Kujdesi, ruajtja dhe mbrojtja e pasardhësve (gjenezës) është e një rëndësie të veçantë dhe për këtë qëllim martesa u bë ligjor.

Aborti i kryer nga femra e cila është në relacion bashkëshortësie të rregullt e me kontratë të vlefshme martese, pas fazës kur i dhurohet shpirti fetusit, nuk lejohet në asnjë rast, me përjashtim të rrezikut për jetën e nënës, madje edhe në fazën kur vec më i është dhuruar shpirti. Me këtë rast, aborti lejohet edhe nëse kanë kaluar katër muaj lunarë, ngase jeta e nënës nuk lejohet të jetë e kërcënuar, përkatësisht e rrezikuar, jeta e saj është e plotë, ndërsa jeta e fetusit është ende jo e plotë; si dhe rrezikut për jetë që i kanoset nënës, duhet mënjanuar atë edhe me kushtin e humbjes së ndonjë përfitimi, duke u thirrur në rregullën e fik’hut: “Shmangia e të këqijave i paraprinë sjelljes së përfitimeve.”

Rrethanë krejtësisht ndryshe dhe shumë e dhimbshme, si e tillë, është aborti me rastin kur femra ngel shtatzënë, jo me vullnetin e saj autonom dhe jo me dëshirën e saj, por shtatzënia vjen nga akti i përdhunimit, problematikë shumë e ndjeshme për të cilën juristët klasik nuk e kanë shqyrtuar në detaje, por sheriati islam megjithatë ka ofruar zgjidhje ligjore.

Frika që të mos mësojnë njerëzit për shtatzëninë nga ndonjë përdhunim, incest etj., ndoshta dhe frika që ajo të mos bëhet objekt talljeje dhe thashethemeve nga rrethi i gjerë, do të mund të lejohej aborti në të gjitha fazat, duke përfshirë edhe fazën kur më fetusi vetëm sa s’është në “jetë” (janë mbushur katër muaj lunarë), që e bën të ketë të drejtën e tij/saj për të jetuar, është çështje delikate.

Siç u tha më sipër, pas katër muajsh krijesa në barkun e femrës fillon të llogaritet dhe të marrë trajtën e qenies së njeriut, nuk mund pa hezitim të thuhet se lejohet të ‘vritet’ fryti, vetëm për shkak të ngeljes së femrës shtatzënë nga akti i përdhunimit.

Do të theksonim se duhet pasur kujdes që, nëse merret një vendim për ta abortuar këtë fryt (jetë njeriu), ajo duhet bërë para njëqind e dyzet ditëve, fazë kur më i është dhuruar shpirti nga ana e Allahut të madhërishëm. Feja islame është ajo që fuqishëm kërkon kujdesin dhe mbrojtjen mbi fetusin, si pasardhës, si lloj njerëzor, edhe pse gjer te shtatzënia është trasuar rruga e arritjes (së fetusit) nëpërmjet mënyrës së paligjshme.

Duke vazhduar më tutje me arsyetimet për të drejtën e abortimit, theksojmë rregullën e më sipërm, cituar si “Shmangia e të këqijave i paraprinë sjelljes së përfitimeve”, me çka i jep të drejtën edhe më të madhe dhe më të plotë femrës së dhunuar, asaj e cila ka ngelur shtatzënë me rastin e incestit etj., që të abortojë. Për të qenë dhe më konciz, do të thoshim se ndoshta fare nuk ka asnjë interes që mund të arrihet me rastin e të abortuarit femra e përdhunuar, por ndoshta disavantazhet dhe të këqijat që reflektojnë nga ky rast, nga të gjitha aspektet, janë ato të vetmet që mund të vërehen.

Theksojmë se në çdo kohë dhe gjithnjë, Islami ka kërkuar dhe kërkon respektin për jetën dhe mbrojtjen e jetës së njeriut, edhe nëse ajo vjen nga rrugë të paligjshme.

Përmbyllim këtë temë me konstatimin se aborti është një krim, nëse ai kryhet pasi i është dhuruar shpirti fetusit e me atë rast nuk është rrezikuar jeta e nënës. Aborti mund të kryhet vetëm me lejen e femrës/gruas, e atë duhet ta realizojë mjeku apo ekipi i mjekëve që janë të thirrur për këtë intervenim, si dhe për abortin. E drejta e sheriatit parasheh dënim të veçantë, si për gruan që e ka kryer atë, po ashtu edhe për mjekun ose për atë që ka bërë që gruaja të abortojë.

Please publish modules in offcanvas position.