Fejsbuk ka hequr më shumë se nëntë milion postime me gjuhë të urrejtjes

Kompania Fejsbuk e informon publikun për një rritje drastike të numrit të postimeve të fshira që promovojnë dhunë dhe gjuhë të urrejtjes, të cilat tani i atribuohen përmirësimeve në teknologji për njohje automatike të tekstit dhe imazhit, njofton “Gardian”.

Kompania më e madhe në botë e mediave sociale pretendon se në tre mujorin e parë të këtij viti ka hequr rreth 4.7 milionë postime të publikuara të lidhura me grupe të organizuara të cilat promovojnë urrejtje, krahasuar me 1.6 milionë që janë hequr në tremujorin e kaluar.

Gjithashtu, kompania kumtoi se në tremujorin e parë janë hequr 9.6 milionë postime në Fejsbuk që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, krahasuar me 5.7 milionë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

Fejsbuk i publikoi të dhënat si pjesë e Raportit të saj të pestë të implementimit të standardeve të komunitetit, të cilin e prezantoi si përgjigje ndaj kritikave për mbikëqyrjen e dobët të platformave të saj.