ND GROUP, kompania e investitorit shqiptar në tregun prodhues të makinave

ND GROUP, kompania e investitorit shqiptar në tregun prodhues të makinave

Një investitor shqiptar përfshihet për herë të parë në industrinë e prodhimit të automjeteve. Është fjala për biznesmenin Nazif Destani i cili është sipërmarrësi dhe investitori kryesor i kompanisë “Next. e.GO Mobile”, një linjë gjermane e angazhuar në prodhimin e automjeteve elektrike.

Së fundi, kompania do të jetë prezente në shtetin grek, për të krijuar një ndërmarrje të përbashkët atje, pas një letre mirëkuptimi të nënshkruar nga “Next.e.GO Mobile SE” dhe “Enterprise Greece”, një agjenci qeveritare e investimeve dhe promovimit të tregtisë. 

Investimi, që në fazën e tij të parë kap një vlerë prej 100 milionë eurosh, parashikon prodhimin e 30.000 automjeteve në vit në një projekt që do të zbatohet në 24 muaj.  Sipas “Enterprise Greece”, marrëveshja përfundimtare pritet të jetë gati brenda tre muajsh.

Palët po krijojnë një grup pune për ngritjen e një fabrike të prodhimit të automjeteve në Greqi. Sipas kompanisë gjermane, përmes kësaj marrëveshjeje për herë të parë do të mundësohet krijimi i platformës e.Go life në një vend tjetër, jashtë vendit të origjinës. Në këtë mënyrë kompania arrin të ngrejë dy pika të prodhimit të automjeteve të saj në Bashkimin Europian.

Grupi i punës do të drejtohet nga George Filiopoulos, CEO i Enterprise Greece dhe Ulrich Hermann, CEO i Next.e.GO Mobile.

“Ishte një hap i rëndësishëm në rrugën drejt rritjes ndërkombëtare të e.GO dhe është plotësisht në përputhje me misionin për të transformuar lëvizjen elektronike urbane”, tha kompania.

“Next.e.GO Mobile synon gjithashtu të krijojë një Kampus Teknologjie dhe Inovacioni  në Greqi”, thanë përfaqësues të  Enterprise Greece.  Marrëveshja me Next.e.GO Mobile vjen vetëm disa javë pasi qeveria Greke dhe Volkswagen Group njoftuan një marrëveshje për një projekt novator të lëvizjes elektronike në ishullin Astypalaia.

Ndërkohë, e.GO është prodhuesi i vetëm i pavarur me makinë elektrike të homologuar në Evropë, përveç Tesla. Kompania do të nisë prodhimin e një automjeti me katër vende, në fabrikën e saj kryesore në Gjermani, në fillim të vitit 2021.  Pas Gjermanisë dhe Greqisë pritet të vijojë prodhimi në Francë, Itali, Dubai dhe SHBA.

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.