Lojtarët e Premierligës, gati të revoltohen kundër planit të Federatës

E përditshmja britanike, Mirror, raporton se lojtarët e Premierligës janë të gatshëm të revoltohen kundër planit që kampionat i Premierligës të kthehet së shpejti, pasi që nuk pajtohen me planin që ndeshjet të zhvillohen pa praninë e tifozëve.

Sezoni 2019/20 i Premierligës është pezulluar përkohësisht për një kohë të pacaktuar shkaku i krizës së Covid-19, virus ky që i ka prekur 392,148 njerëz në të gjithë botën, ndërsa i ka lënë të vdekur gjithsej 17,138, .

Top pesë ligat e Evropës – Premierliga, La Liga, Bundesliga, Ligue 1 dhe Serie A – janë pezulluar të paktën deri në prill, ndërsa edhe garat e tjera evropiane e kanë ndjekur po këtë hap.

Në tentim për t’u siguruar që sezoni i klubeve do të kompletohet, UEFA vendosi ta shtyjë Kampionatin Evropian për verën e vitit 2021, në mënyrë që klubet të mund të luajnë edhe verës për ta përfunduar sezonin 2019/20.

Përderisa ende nuk dihet se kur do të mundë të rinisë kampionati në Premierligë, Federata e Futbollit e Anglisë raportohet se po planifikon që ndeshjet të kthehen së shpejti, por pa praninë e tifozëve në stadium. Lojtarët nuk pajtohen aspak me këtë propozim.

“Lojtarët janë të shqetësuar dhe kjo është e kuptueshme. Nuk do të ishte ky opsioni ynë i preferuar, por gjithçka po shqyrtohet për momentin”, ka thënë drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Lojtarëve të Premierligës, Gordon Taylor.

Lojtarët e Premierligës thuhet se nuk duan të luajnë prapa dyerve të mbyllura pasi që frikësohen për vetë shëndetin e tyre mes udhëzimeve qeveritare për vetizolim, besojnë se nga ky opsion do të rrezikoheshin edhe familjarët e tyre, zhvillimi i ndeshjeve do t’u krijonte telashe shtesë ekipeve mjekësore dhe shërbimeve emergjente dhe ata nuk duan të luajnë pa e pasur mbështetjen e tifozëve në stadiume.