Zbulohen borxhet tronditëse të Mançester Junajtedit

Borxhet e gjigantit anglez, Mançester Junajted janë rritur për shkak të pandemisë së koronavirusit. Të dhënat financiare të klubit për tremujorin e parë të vitit 2020 i tregojnë tashmë pasojat serioze të krizës. Para fillimit të pandemisë, borxhet e “djajve të kuq”, arritën në 141 milion euro, ndërsa tani ato janë rritur në shumën prej 477 milion euro.

Të ardhurat vjetore ranë për 19 për qind në 137 milion euro, megjithëse prania e tyre në Ligën e Evropës në vend se në Ligën e Kampionëve, kontribuon në këtë rënie.

Prej 31 marsit, buxheti i Junajtedit ishte pak më shumë se 100 milion euro, me atë që klubi ka qasje në një shtesë prej 166 milion euro, që është në formën e një kredie që do të sigurojë “fleksibilitet financiar për ta mbështetur klubin për ndërprerjen, të shkaktuar nga KOVID-19 “.

Të ardhurat nga transmetimi i ndeshjeve për tremujorin e parë janë vetëm 28 milion euro, që është më shumë se 50 për qind nga 53 milion euro të vitit të kaluar.

Fakti që ndeshjet e mbetura të “djajve të kuq” do të luhen pa publik do të ketë një ndikim shtesë në të ardhurat nga ndeshjet dhe shitjet e biletave.

“Fokusi ynë mbetet në shëndetin dhe mirëqenien e kolegëve, tifozëve dhe partnerëve tanë në të gjithë botën. Ne jemi jashtëzakonisht krenarë për mënyrën se si reagoi klubi gjatë kësaj krize. Ne mezi presim ta sigurojmë rikthimin tonë të sigurt në fushë dhe momentin emocionues të lojës. Puna jonë gjatë krizës i pasqyron vlerat tona themelore si një klub dhe rezistencën që e kemi demonstruar shumë herë përgjatë historisë sonë të gjatë”, tha nënkryetari i klubit, Ed Vudvord.