Hamilton në histori, triumfon në Portugali dhe tani është më i mirë se Schumacher

Luis Hemilton ka fituar sot në Çmimin e Madh të Portugalisë në Formula 1 dhe ka hyrë në histori, pasi ka thyer rekordin e vendosur nga Mikael Shumaher për fitore në garën më të famshme të automobilizmit në botë.

Suksesi i sotëm ishte i 92-ti në karrierë për britanikun, duke kaluar kësisoj shifrën që ndante me Shumaher deri në ditën e sotme.

Kampioni në fuqi tregoi një tjetër provë kontrolli të plotë, duke menaxhuar garën që në start, për t’u kthyer në pilotin më të suksesshëm të të gjitha kohëve. Pengesa e tij e vetme ishte shoku i skuadrës, Valteri Botas, i cili udhëhoqi garën për pak xhiro, para se t’i dorëoznte kryesimin britanikut i cili kishte një marsh më shumë se të tjerët.

Edhe pse ai humbi kryesimin në fillim, për shka të problemeve me gomat, arriti që të ruante qetesinë dhe ia rifitoi atë pozitë Botas, duke u shkëputur prej tij dhe duke mos i lejuar finlandezit që të afrohej, pasi mbylli garën me një avantazh prej 25 sekondash.

Verstapën u rendit i treti, ndërsa Leklerk ktheu Ferrarin në vendien e katërt. Gasli vazhdon të paraqitet pozitivisht, pasi mori vendin e e 5-të me Alfa Tauri. Sainz e mbylli garën në vendin e 6, i ndjekur nga Perez, Okon, Riçiardo dhe Fetel, i cili mbylli zonën e pikëve.

Rekordi i Hemilton është me të vërtetë mbresëlënës, pasi atij iu deshën vetëm 262 gara për të arritur shifrën e 92 fitoreve. E para ishte në Kanada, në vitin e debutimit, 2007. Që atëherë, ai është bërë piloti i vetëm në histori që ka fituar një garë në çdo vit në të cilin ka garuar, duke regjistruar sezonin e 14 radhazi.

Tani, objektivi i radhës është të barazojë një tjetër rekord të Shumaher, atë të titujve kampion, pasi ai synon të arrijë në fund të këtij edicioni numrin shtatë që regjistroi piloti gjerman në karrierën e tij.