Previous Next

Paragliding Club Condor Ofron Fluturime Për Të Gjithë Qytetarët

Piloti duhet të investoj në vetveten që të arrijë një sukses sepse relativisht ky është një sport i shtrenjtë.

Personat që duan të merren me këtë sport ëndrrën e tyre duhet ta kthejnë në realitet

Mentor Saiti, nga Gostivari është i martuar dhe ka dy fëmijë, ai njëkohësisht është edhe themelues i PARAGLIDING CLUB CONDOR. Ky është i vetmi klub për Paragliding në Maqedoninë Perëndimore. Klubi u themelua në vitin 2009, ku pastaj hapën edhe shkollën dhe filluan trajnimin me studentët e rinj.

Paragliding (paraglider) është një nga sportet aeronautike më të ri ,dhe një nga mënyrat më të lehta dhe më të thjeshta për të realizuar ëndrrën e fluturimit. Ky sport intensivisht është zhvilluar dhe zgjeruar gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit. Suksesin më të madh klubi e ka pasur prej fillimit të vitit 2012 kur filloi me organizimin e garave Paragliding në bashkëpunim me Federatën Akrobatike të Kosovës dhe atë të Shqipërisë, organizoi kampionatin shqiptarë në Paragliding. Ky kampionat është i përbërë prej 6 etapave, ku secila etapë mbahej në Shqipëri, Maqedoni ose në Kosovë dhe prej atyre 6 etapave njëra mbahej në Gostivar. Në vitin 2015 u organizua në Gostivar, si një garë në vete, garë e cila ishte e hapur për të gjithë pilotët. Në të njëjtën garë u bë edhe inaugurimi i pikës së vetme në Malin Thatë në Maqedoni. Si aktivitet shtesë u mbajt edhe një garë nëpër mal me biçikleta me distancë diku 50 km. Kishte edhe ngjitje në majën më të lartë të Malit të Thatë, ku si mysafir ishte zëvendës ambasadorja e SHBA-ve, kryetari i komunës së Gostivarit, shefi i USAID-it në vend.

Kur e hapa shkollën isha optimist

Jo çdo njeri që merret me sport është edhe garues. Piloti duhet të investoj në vetveten që të arrijë një sukses sepse relativisht ky është një sport i shtrenjtë. Ambiciet janë shumë të rëndësishme sepse ai që ka ambicie të merret me gara ose të merret me sport si sportist këtë mund ta bëjë. “Kur e hapa shkollën personalisht aspak nuk isha skeptik edhe pse të gjithë përreth meje ishin shumë skeptik se nuk do të arrijmë sukses, ky sport nuk është për te ne këtu më thoshin. Sipas meje unë mendoj se plotësisht ja kam arritur qëllimit, atë që e imagjinoja në vitin 2009 këtë vit u realizua plotësisht sidomos me garën e fundit që e organizuam “Mavrova Open”. Këtë vit ishte viti jubilar pra ishte viti i 5 që mbahet kjo garë në “Gostivar Open, Mavrovo Open.

Qëllimi i këtij evenimenti të madh ishte gara me Paragladiding, disiplina me aterrim të saktë. Përveç asaj pati edhe gara me biçikleta përreth liqenit të Mavrovës, ku morrin pjesë shumë grupe të njohura dhe DJ nga rajoni. Shikueshmëria ishte shumë e madhe, kishte mysafir nga vendi dhe nga jashtë. Në “Mavrova Open” morën pjesë 37 garues në Paragliding dhe 10 të tjerë u lëshuan vetëm për rekreacion. Pilotët ishin nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Turqia”,bëri të ditur Saiti.

Që nga fëmijëria kisha pasion të veçantë për këtë sport

Kam qenë i dashuruar në këtë sport shumë i ri dhe nuk më pranonin nëpër klubet e vendit sepse isha në moshë të mitur. Në vitin 2004 unë fillova me kurs në Paragliding te klubi Luboten në Tetovë te profesori tani më i ndjerë Vanço Fillkovski. Pasi e mbarova kursin fillova të jem më aktiv me këtë sport.

Kur morra licencën si pilot dhe instruktor në vitin 2009 e hapa klubin tim. Deri tani në klubin tim janë trajnuar gjithsej 7 pilot. Ndër to ka pasur pilot nga Gostivari, Tetova, Struga, Kërçova. Tek ne zakonisht përdoret aterrim cak, ndërsa kategoritë Kros Kantri, dhe gara me akrobacione janë më pak të zhvilluara. Kulminacioni i të gjitha këtyre është Akro Paralaiding disiplinë kjo shumë pak e zhvilluar te ne. Vitin e ardhshëm planifikojmë të organizojmë kupën botërore në Mavrovë. Ne vetëm se kemi filluar me përgatitjet për kupën botërore.

Mungon përkrahje nga institucionet shtetërore

Si klub shteti nuk na përkrah aspak, por tragjedia më e madhe është se nuk kemi pasur përkrahje edhe nga qeverisja lokale. Të vetmen përkrahje e kanë nga sektori privat.

“Ky sport hyn në grupin e sporteve ekstreme dhe secili nuk mund të merret me këtë sport. Njeriu që do të merret me këtë sport duhet të jetë shumë i përgatitur psiko- fizikisht. Duhet t’i plotësoj kushtet themelore dhe të vazhdoj me Paragliding. Ofrojmë fluturime dyshe me çmime më të ulëta vetëm e vetëm që këtë sport ta bëjmë më të afërt. Tërë këtë sukses që kemi dhe pa përkrahje është një sfidë e madhe”, theksoi Mentor Saiti.

Ofrojmë fluturime rekreative për të gjithë qytetarët

“Ne si klub ofrojmë dy variante, ose ta trajnojmë që të bëhet pilot dhe të fluturojë vetë ose vetëm një fluturim ta bëjë, pra një xhiro së bashku me neve. Fluturimi bëhet nga instruktor me përvojë me një eksperiencë të madhe. Komplet fluturimin e bën piloti, ndërsa për fluturime dyshe nuk duhet trajnim. Për të kryer trajnimin duhet diku 20 orë trajnim teorik dhe më pas e kemi pjesën praktike në afërsi të qendrës të skijimit në Mavrovë. Atje i bën hapat e para dhe pasi arrijnë një far shkalle fillon të fluturoj vetë dhe më pas vazhdojmë të bëjmë fluturime nëpër pika të ndryshme në Maqedoni. Pilotët që u pajisën me certifikatat tona kanë marr pjesë në shumë gara, por deri tani nuk kanë marr ndonjë vend. Këto më shumë merren me këtë sport sikur rekreacion. Ky sport në Maqedoni nuk është shumë i zhvilluar. Në vendin tonë kemi edhe Federatën Akrobatike të Maqedonisë. 5 vite me radhë kam aplikuar tek të gjitha institucionet përkatëse për përkrahje, por asnjë institucion nuk është përgjigjur pozitivisht. Kemi aplikuar për gara të karakterit ndërkombëtarë ku kemi pasur pilot nga 5-6 vende të ndryshme. Vitin e kaluar kishim edhe 7 pilot nga Ukraina, 3 nga Turqia, 1 nga Bulgaria, Kosova, Shqipëria. Vitin e ardhshëm shpresojmë që Kupën e Botës ta organizojmë këtu dhe për këtë nga të gjitha institucionet kompetente do të aplikojmë që të na ndihmojnë financiarisht duke e pasur parasysh se bëhet fjalë për kupë botërore. Institucionet kompetente duhet t’i përkrahin këto gara”, theksoi Saiti.

Avancimi në këtë sport duhet të bëhet gradualisht

Interesimi më i madh për të fluturuar është në Pranverë dhe Verë, por fluturimet më të mira bëhen Dimrit. Vetëm në rast të shiut, borës dhe erës së madhe nuk fluturohet. Të gjithë ato që janë të interesuar për fluturimet dyshe mund të drejtohen për rezervime në ueb faqen apo dhe Fun page në Facebook. Mali Thatë, Kodra e Diellit, Mavrovë, janë vende ku bëjmë fluturime, por ndonjëherë bëjmë fluturime edhe në Ohër.

Sipas Saitit, qëllimi është zhvillimi i këtij sporti dhe masivizimin në anën e Pollogut, kurse në të ardhmen e afërt pikësynimi jonë do të jetë organizimi i kupës botërore në Akro Paragliding. Secili person që ka ardhur të fluturoj tandem ka pyetur se sa është fluturimi i sigurt, por kjo është një pyetje specifike me që ky sport është ekstrem, mirëpo këtu bëhet fjalë për fluturime me pilot mjaft me eksperiencë të cilët falë Zotit deri tani nuk kanë bërë ndonjë gabim dhe nuk ka pasur ndonjë aksident edhe pse ekziston një lloj rreziku. Vendi nuk ka të bëj me vështirësinë e fluturimit, por aty më shumë ndikon koha klimatike. Një fluturim përafërsisht zgjat 15-30 minuta.

Njerëzit që duan të merren me këtë sport ëndrrën e tyre duhet ta kthejnë në realitet. Pa hezitim duhet që të kërkojnë të gjejnë trajnim adekuat dhe të bëhen pilot. Është një sport specifik dhe ekstrem, por kënaqësia që ta jep ky sport nuk mund të krahasohet me asnjë sport tjetër. Do t’i kisha inkurajuar të gjitha ato që duan të merren me këtë sport, të merren sa më shpejt, ta marrin sportin me seriozitet. Në këtë sport duhet të avancohesh gradualisht dhe nuk duhet të jesh tepër ambicioz sepse çdo pjesë e përshpejtuar mund të reflektohet negativisht. Kursi bazë zgjatë 1-2 muaj dhe kjo varet prej individit. Pastaj ai vazhdon të fluturoj me njerëz të klubit deri sa të merr një përvojë të caktuar.

Arbenit Zeqir, fluturimi i parë një magji e vërtetë

Arbenit Zeqiri, nga fshati Shemshovë i Tetovës, është njëri ndër të shumtët që ka provuar fluturimin me mjeshtrin e Paragladingut, Mentor Saiti. Ai thotë se ka qenë një fluturim i mahnitshëm për gjatë 30 minutave. Sipas tij bëhet fjlë për fluturimin dyshe që ka zgjatur 30 minuta. Jemi nisur nga fshati Koritë një cak fluturimi i licencuar dhe kemi përfunduar në fshatin Çegran, në një cak tjetër të licencuar. Pra bëhet fjalë për një fluturim që për herë të parë e kam realizuar në jetën time. Pasi dëgjova se në Gostivar, ka një klub të tillë që drejtohet nga mjeshtri Saiti, vendosa që ta provojë fluturimin dhe përvoja e parë ka qenë një magji e vërtetë. Do të kisha dashur që të jem prezent në garat që në Mavrova Open, por më duhet kohë që të mësojë fluturimin. Për 30 minuta mund të shohësh bukuritë natyrore që ka vendi jonë dhe të krijosh një pasqyrë më të qartë për natyrën. Ky fluturim përveçse më ka dhënë kënaqësinë e fluturimit më ka dhënë një shtytje që edhe më tej të vazhdoj të hulumtoj bukuritë natyrore dhe të vizitoj vendet malore. Zeqiri merret me alpinizëm dhe deri më tani pothuajse i ka vizituar të gjitha vendet e bukura në Malin Sharr dhe në Malin e Thatë. Nëse në këmbë të duhen orë të tëra për të shkuar tek një vend me Paraglading ose me fluturim të duhen vetëm disa minuta. Nuk do ndalem me një fluturim, por do të vazhdoj të realizoj edhe fluturime tjera. Ëndrra ime për të fluturuar mbi natyrë falë Mentor Saitit u bë realitet.

Please publish modules in offcanvas position.