Thjeshtësia

Thjeshtësia

Fakti që njeriu e pëlqen vetveten e mbahet më të madh, është provë e çalimit të mendjes dhe trashësisë së shpirtit.

Njeriu që ka arritur pjekurinë e mendjes dhe shpirtit, çdo gjë që ka merituar e di prej Zotit dhe, me ndjenjën e falenderimit, përkulet gjithmonë më dysh para Tij!

Përballë vlerësimit të Zotit dhe poshtërimit të njerëzve, thjeshtësia i përfton zemrës së njeriut ndjenjën e prehjes dhe qetësisë. Sigurisht, dikush që qysh në krye, duke e ditur se sa vlen, është treguar kokulur, do të thotë se është futur nën blindin më të sigurtë ndaj çdo lloj përbuzjeje e poshtërimi që mund t'i vijë nga njerëzit si dhe ka marrë masën parambrojtëse më të shëndoshë ndaj tyre!

Thjeshtësia është tregues i pjekurisë dhe vlerës të individit, kurse mbajtja më të madh, i papjekurisë dhe mangësisë së vlerave te individi. Njerëzit më të formuar janë ata që rrinë më shumë mes njerëzve e bëhen gjithmonë me ta, kurse njerëzit më të mangët në vlera janë ca të pafat me nam të keq të cilët e kanë për turp të rrinë mes njerëzve e t'i ndajnë gëzimet e hidhërimet me ta!

Ata të cilëve s'u dihet vlera nga shoqëria mes të cilës jetojnë, herët a vonë, në saje të thjeshtësisë në karakter, lartësohen e arrijnë të fitojnë ndere të mëdha, kurse ata që vuajnë nga kompleksi i të mbajturit më të madh, me kohë, duke u lënë mënjanë nga populli nga pak e përditë, kthehen në elementë të huaj në mjedisin ku jetojnë!

Lartësimi i një njeriu në vlerat njerëzore del në dukje me anë të thjeshtësisë tek ai; edhe thjeshtësia vetë del në dukje kur atë nuk munden ta ndryshojnë gjërat që shoqëria u jep vlerë, si posti, detyra, pasuria dhe dituria. Për atë njeri te i cili njëri prej elementëve të sipërpërmendur arrin të shkaktojë ndryshim në mendime e sjellje, nuk mund të bëhet fjalë as për thjeshtësi, as për lartësim në vlerat njerëzore!

Thjeshtësia ka vlerën e çelësit të pothuaj gjithë shprehive të mira; kush e shtie në dorë atë, mund të fitojë edhe shprehi të tjera të bukura, kurse kush nuk e ka, për rrjedhojë, mbetet i mangët edhe prej shprehive të tjera. Ndërsa kur profeti Adem (a.s.) rrëshqiti dhe i humbi të gjitha gjërat me vlerë të trajtimit qiellor, i rifitoi ato me anë të thjeshtësisë, djalli i rënë në të njëjtën fatkeqësi, u bë kurbani i krenarisë dhe mendjemadhësisë së vet!

Për shkak se madhështia është nga atributet e Individualitetit të Lartë, ata që janë mbajtur më të madh e janë treguar tekanjozë, pothuaj gjithmonë janë përlarë nga dora "Ndëshkuese"[1] e Tij e janë shkatërruar. Kurse ata që e kanë njohur veten se sa vlejnë e janë treguar të thjeshtë, janë lartësuar duke u ngjitur gjer në audiencën e Tij!

E Keqja e Gjuhës

Të folurit e shumtë është një sëmundje që shërben si provë e çekuilibrit mendor e shpirtëror. Fjalë e përshtatshme është ajo që, me rrugën më të shkurtër, i tregon diçka bashkëbiseduesit pa i trazuar kokën. Për t'i treguar ca gjëra bashkëbiseduesit, nuk është nevoja të flasësh gjerë e gjatë, madje, e folura e gjatë shpesh sjell me vete një sërë dëmesh sepse krijon mundësi për kontradikta që nxjerrin në shesh pyetje të reja gjë që, për bashkëbiseduesin, përbën dëm e jo dobi!

Njeri i mençur është ai që, në vend që të flasë vetë, vë të flasin persona që do të ishin të dobishëm si për vete, ashtu edhe për të tjerët. Në fakt, fjala e dikujt tjetër në vend të personave, mendja e të cilëve është e mbushur dhe pjekur me shkencat e natyrës, kurse zemra, me kulturën hyjnore, është mungesë respekti dhe dëm për shoqërinë që i përkasin.

Të flasësh pak e të dëgjosh shumë është virtyt dhe shenjë lartësimi shpirtëror, kurse dëshira e vazhdueshme për t'u dëgjuar, edhe nëse s'quhet çdo radhë marrëzi, nuk ka dyshim se është çekuilibër absolut e paturpësi!

Çdo fjalë që do të thuhet, duhet të jetë e tillë që të sqarojë ndonjë çështje dhe t'i japë përgjigje ndonjë pyetjeje.

Dhe, duke folur, duhet ruajtur me çdo kusht nga shkaktimi i mërzitjes si tek pyetësi, ashtu edhe tek dëgjuesit.

Eshtë normale dhe e natyrshme që njeriu duhet të heshtë atje ku s'duhet të flasë dhe duhet të hapë gojën atje ku duhet të flasë. Ndërkaq, çdo herë duhet të parapëlqehet fjala e personave me më përfitim. Dhe kjo, para së gjithash, është një çështje edukate dhe varet nga njohja e vlerës së heshtjes. Sa bukur kanë thënë etërit tanë: "Fjala është argjend, heshtja është flori!"

Njeriu e rrit vlerën e vet jo duke thënë shumë fjalë, por kur fjalët që thotë, janë me vend e me vlerë. Në të kundërt, personi që flet mbarë e prapë e kudo, sidomos nëse tema e bisedës ka të bëjë me koncepte të larta e që kërkon kompetencë, bie në shumë gabime dhe e rrëzon edhe vlerën e vet. Sa me vend është fjala që thotë se "ai që flet shumë, bën shumë sakatllëqe!"

Me fjalët që thotë, njeriu e tregon veten dhe me sjelljet reflekton lartësinë e shpirtit. Llafazanët që nuk ia lënë fjalën askujt tjetër sikur të ishte e nevojshme që çdo fjalë duhet ta thoshin ata vetë, me kohë nisin të ndjejnë neverinë dhe përbuzjen e të gjithë miqve. Dhe një situatë e tillë bën që të mos u vihet veshi fjalëve të bukura që herë-herë do t'u takojë atyre t'i thonë, për rrjedhojë, të nënvleftësohen të vërtetat e larta pikërisht pse i tha një llafazan, gjë që do të thotë mungesë respekti për ashtu si e ngrëna e paktë dhe e fjetura e paktë, edhe e folura e paktë është bërë që në krye të herës tipar i njerëzve të pjekur. Porosia e parë e dhënë njeriut për zhvillimin e aftësive shpirtërore është sundimi i gjuhës dhe ruajtja prej fjalëve të pavend e të panevojshme. Kështu, gjuha e atyre që kudo që të ndodhen, e hapin gojën e flasin mbarë e prapë, e cila u është më e madhe se koka dhe zemra, sidomos puna e atyre që thonë gjëra që s'i kanë bërë, është krejt e hidhur dhe të vë në mendime...

Njeriu bëhet i afërt e i dashur për Krijuesin dhe krijesat në atë masë sa të qëndrojë larg sëmundjes së të folurit të shumtë, të pëlqimit të fjalës së vet dhe mosnjohjes të tjerëve të së drejtës së fjalës. Në të kundërt, nuk e gjen dot atë që shpreson as te Zoti e as te njerëzit!..

E Fshehta dhe Mbajtja e të Fshehtës

E fshehta është si një burim force e papërballueshme e si një ushtri e pamposhtshme...

E fshehta është nder; ai që e mbron të fshehtën, qoftë ajo e vetja, qoftë e dikujt tjetër, ka mbrojtur nderin. Kurse ai që e nxjerr në shesh, do të thotë se i ka lënë zbuluar nderin dhe dinjitetin duke mos treguar konsideratën e duhur për ta!..

Ka punë të tilla ku e fshehta i përngjet Hizrit:[1] ka vlerë kur mbetet e padukshme...

Edhe heshtja është urtësi, por të urtët e saj janë të paktë a mund të thuhet s'ka...

Personi të cilit dikush do t'ia besojë, do t'ia lejë amanet të fshehtën, duhet të jetë i besueshëm e i sigurtë sa për t'ia lënë amanet edhe nderin dhe në mbrojtjen e të fshehtës duhet të jetë aq pedant sa në mbrojtjen e nderit të vet. Amaneti nuk i duhet besuar atij që s'është i besueshëm e i sigurtë, po ashtu edhe e fshehta nuk i duhet dhënë atij që s'njeh të fshehtë e nder!..

Kush e burgos gjuhën, shpëton nga robëria e fjalëve të veta...

Mbajtja e të fshehtës dhe respektimi i të fshehtës së të tjerëve është një virtyt njerëzor i lidhur krejtësisht me vullnetin dhe njohjen. Ashtu siç nuk pritet që njerëzit e pavullnetshëm ta mbajnë të fshehtën, po ashtu nuk mund të mendohet që njerëzit naivë, të tillë që të mos jenë në gjendje ta parashikojnë përfundimin e punëve që bëjnë dhe fjalëve që flasin, të jenë gojëmbyllur...

Fakti që një njeri i beson sërish një të fshehtë dikujt që gjer atë ditë ia ka nxjerrë në shesh disa herë të fshehtën e besuar, tregon tek ai mungesë vullneti dhe paaftësi për të zgjedhur shok. Një njeri që, në saje të besimit, i janë hapur sytë dhe zemra i ka zënë vend, nuk duhet të gënjehet kaq shumë në jetë, nuk duhet të mashtrohet kaq shumë!..

Njeriu duhet të ruhet jashtëzakonisht nga përhapja e të fshehtave të veta andej-këtej, sidomos nëse këto do të jenë gjëra të shëmtuara, të padëshiruara e, si rezultat, të padobishme... Ndërsa do t'i turpërojë miqtë, kjo mund të bëhet shkak për lindjen e situatave të pakëndshme që do t'i gëzonin armiqtë...

Gjokset janë krijuar si nga një arkë e vogël për të fshehtat. Mendja është dryni i tyre, kurse vullneti, çelësi. Për sa kohë që në këtë dry dhe çelës të mos ketë prishje, askush s'ka mundësi të zbulojë se ç'fshihet në arkë...

Ai që bart të fshehtat e tjetrit për tek ti, mund t'i bartë edhe të fshehtat e tua për tek tjetri. Prandaj kurrsesi nuk duhet t'u japim rast njerëzve të tillë të njohin qoftë edhe gjërat tona personale më të parëndësishme!..

Zemra e kokëtrashit është në majë të gjuhës, kurse gjuha e të mençurit, në skajin më të fshehtë të zemrës...

Duhet ruajtur nga shoqërimi me kokëtrashët. Më e keqja është se, jo vetëm mund të kenë qëllime të këqia, por, edhe në s'paçin të tilla, mund të të bëjnë keq pa qëllim...

Ka të fshehta që kanë të bëjnë me individin, ka të fshehta që kanë të bëjnë me familjen, por ka edhe të fshehta që kanë të bëjnë dhe prekin një shoqëri e një komb të tërë... Me zbulimin e të fshehtës së individit, i jepet rast vënies në lojë të dinjitetit të individit, me zbulimin e të fshehtës që i përket familjes, vënies në lojë të dinjitetit të familjes, kurse me nxjerrjen në shesh të të fshehtës që i intereson shoqërisë e kombit, vihet në lojë dinjiteti i shoqërisë e i kombit, sepse, ndërsa e fshehta është një forcë për sa kohë mbetet e tillë dhe në dorë të atij që i përket, kur zbulohet, kthehet në një armë të rrezikshme që mund të përdoret kundër të zot. Prandaj dhe të parët tanë kanë thënë: "E fshehta është robi yt, por, po e zbulove, ti bëhesh robi i saj!"

Eshtë një parim që shumë punë me vlerë të madhe kërkojnë mbajtjen e të fshehtës; kur ka ndodhur që ata që i kanë pasur në dorë këto punë, nuk e kanë mbajtur të fshehtën, nuk ka qenë e mundur të hidhet qoftë edhe një hap përpara, madje, iniciativat janë rrezikuar seriozisht. Kjo gjë merr rëndësi dhe përmasa krejt të veçanta kur është fjala për çështje delikate që kanë lidhje me jetën dhe të ardhmen e një kombi!..

Nëse një shtet u ka lëshuar të fshehtat e shtetit armiqve, nëse një ushtri ia ka zbuluar strategjinë e lëvizjes forcave armike, nëse një afarist është zbuluar nga konkurrentët, s'ka më mundësi që ai shtet ta rimbledhë veten, që ajo ushtri të fitojë dhe që ai afarist të dalë me sukses...

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.