Reagimet në Greqi për lutjen e parë në Aja Sofia

Reagimet në Greqi për lutjen e parë në Aja Sofia

Lutja e parë në xhaminë Aja Sofia, në Stamboll, e cila u zhvillua në prani të presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, shkaktoi reagime në Greqi, si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita, si dhe nga mediat, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Kryeministri grek Kirjakos Micotakis në video mesazhin e tij për qytetarët me rastin e 46 vjetorit të kthimit të demokracisë në Greqi, gjithashtu iu referua marrëdhënieve me Turqinë, duke komentuar se veprime të tilla si shndërrimi i Aja Sofias në xhami “fyen kulturën e shekullit XXI”.

“E gjithë kjo që po ndodh sot në Stamboll, nuk është manifestim i fuqisë, por dëshmi e dobësisë. E qartë është se ajo që po ndodh nuk ka fuqi të ruajë shkëlqimin e një vendi të trashëgimisë botërore. Por vlerat universale janë të njollosura. Kjo është arsyeja pse është e nevojshme dënimi universal”, porositi kryeministri grek.

Zëdhënësi i SYRIZA-s, Aleksis Haricis foli për karakterin kulturor universal që Greqia duhet të mbrojë përmes fushatës ndërkombëtare, duke thënë se festimi i sotëm në Aja Sofian, në përvjetorin e Marrëveshjes së Lozanës, ishte “provokim nacionalist me elemente të thella të autoritarizmit”.

Sot edhe shndërrimi zyrtar i Aja Sofias nga monument në xhami si dhe manifestimi në Stamboll është një nga temat kryesore në mediat greke.

Disa nga televizionet e transmetuan drejtpërdrejt nga Stambolli kur Erdogan mbërriti në Aja Sofia, ndërsa komentet e gazetarëve ishin se bëhet fjalë për “provokim nga Turqia”, për “ditë të trishtuar dhe të errët për krishterimin”, për “përdhosje e monumentit nga trashëgimia kulturore botërore” dhe të ngjashme.

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.